Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur rreth mundësisë së hyrjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kandidaturën e tij për kryetar të partisë.
Haziri është shprehur i bindur që partia e tij asnjëherë më nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në e Kadri Veselit.
Një koalicion me PDK-në është i paimagjinueshëm. E them me plot bindje se nuk do të qeverisimim kurrë më me PDK-në. Lidershipi i PDK-së, ka rrënuar urat e bashkëpunimit me neve, ata kanë zgjedhur një bashkëpunim me dikën tjetër dhe është e drejtë e tyre”, ka thënë Haziri në emisionin “Politikë” në Tribuna Channel.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka pohuar se si Lidhje Demokratike janë duke përpiluar dokumentin për dialogun Kosovë- Serbi.
Haziri ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje dhe se do t’i fitojë zgjedhjet kur ato do të mbahen.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet brenda partisë.
Madje ai e ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të LDK-së.
“Nuk ka shpallje të kandidaturave në parti. Asnjë kandidat tjetër nuk e ka kërkuar mbështetjen time për të parin e partisë, do të vjen koha që do të bisedohet për këtë çështje sa i përket kandidimit tim. Besoj se do të kandidojë, nuk e mohoj”, ka thënë Haziri.
Madje Haziri ka dhënë një premtim.
“Nëse LDK vjen në pushtet, presidenti Thaçi do të rrijë në shtëpi”, ka thënë Haziri.
Haziri ka folur edhe për raportin e Isa Mustafës me Albin Kurtin.
“Me i fut duart në partitë e tjera është legjitime, por të thuash se LDK po përçahet është e rëndë, dhe këtë lojë po e luan Albin Kurti”, tha ai.