Dr. Ibrahim Rugova ishte pacifist i bindur, por asnjëherë nuk mohoi se kryengritjet vijnë në shprehje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë
Me Akademi përkujtimore, në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, në Gjilan shënuam përvjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit të parë të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova. Sivjet është edhe 30-vjetori i zgjedhjes së Ibrahim Rugovës president i Republikës së Kosovës në kushte të okupimit dhe 20-vjetori i zgjedhjes president në Kosovën e lirë.
Këta dy përvjetorë bëjnë që edhe kjo Akademi e Flakës, nën përkujdesjen e kryetarit Hyseni, të mbahet për të nderuar jo vetëm presidentin e parë të Republikës, por edhe intelektualin, njeriun e librave e të letrave shqipe, njeriun i cili fund viteve të 80-ta, ende pa qenë kryetar i LDK-së, u bë udhëheqës shpirtëror i të rinjve, i studentëve dhe i popullit të vet.
Presidenti Rugova duke qenë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve filloi të rezistonte, të fliste, të kundërshtonte gjithë atë okupim të egër, represion e dhunë që ushtrohej në Kosovë nga regjimi i një shteti që asnjëherë nuk e pranoi si të vetin.
Rugova, duke qenë udhëheqës shpirtëror, natyrisht u bë edhe lider politik i cili do të sfidonte regjimin e madh të ish-Jugosllavisë dhe do të ndërtonte rrugën para, rrugën me orientim perëndimor.
Ibrahim Rugova në më pak se dhjetë vite arriti të realizonte ëndrrën dhe të sublimonte kërkesat gjithë popullore për Republikën e Kosovës, e cila më 17 shkurt do të shpall pavarësinë e saj.
Dr. Ibrahim Rugova ishte pacifist i bindur, por asnjëherë nuk mohoi se kryengritjet vijnë në shprehje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë.
Do të vazhdojnë të punojnë bashkë për një Gjilan të zhvilluar, ku dallimet politike duhet të na ndajnë në debat, por qëllimi është të respektojmë atë që kemi dhe të vazhdojmë ta ndërtojmë më mirë atë që presim.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Presidentit Rugova!