Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur sot se Qendra Rajonale e Shëndetit Publik së shumë shpejt do ta ketë laboratorin për teste PCR.
Haziri e bëri publik lajmin pas takimit që zhvilloi në Gjilan me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Ministrin Zemaj e njoftova në detaje për gjendjen që po përballemi me virusin COVID-19 në Gjilan, për hapat rreth parandalimit të përhapjes së virusit. Së bashku pamë nga afër punën e madhe që po bëhet në Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik. Lajmi i mirë është që po përgatitemi ta pranojmë laboratorin për PCR dhe do të fillojmë t’i testojmë të gjitha rastet në QRSHP”, tha Haziri.
Ai pohoi se deri tani janë afro 7 mijë teste të realizuara në Gjilan, prej të cilave 501 raste janë aktive dhe rastet tjera janë shëruar, duke shtuar se humbja e betejes së 68 qytetarëve me virusin është shqetësimi më i madh
“Po ashtu, jemi në finalzim të Spitalit të Qytetit, i cili do të finalizohet me mjetet e punës dhe me zhvendosjen e ekipeve mjekësore përballë Spitalit të Përgjithshëm, që është një lidhshmëri fizike dhe komunikim mes dy institucioneve kryesore shëndetësore, jo vetëm në kohë pandemie. Me këtë ne po e përmbyllim ciklin e investimeve të mëdha në shëndetësinë primare. Faleminderit ministrit Zemaj për mbështetjen e madhe për Gjilanin”, ka thënë Haziri.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasi e falënderoi kryetarin Haziri për pritjen, tha se vizita e sotme ka të bëj me mobilzimin për ruajtjen e shëndetit publik dhe për avancimin e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet.
“Interesimi ynë që t’i ngrisim kapacitetet spitalore, pavarësisht situatës pandemike, planet tona, dinamia e ngritja e resurseve humane, e përfshinë edhe Komunën e Gjilanit, Spitalin Rajonal dhe QKMF, në mënyrë që të gjithë bashkërisht ta lehtësojmë situatën e përballjes me COVID-19. Nëse vazhdojmë dhe e ngrisim ritmin e disiplinës, ia shkurtojmë këmbët virusit, iu ndihmojmë profesionistëve shëndetësorë, e heqim stërngarkesën në spitalet tona dhe i rikthehemi normalitetit”, tha Zemaj.
Në fund, Haziri dhe ministri Zemaj kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, duke parë nga afër punën e madhe që bëhet nga profesionistët shëndetësorë.