Gjilan, 1 qershor 2017 – Është inauguruar sot fabrika për përpunimin e mishit “Calabria” në Velkincë të Gjilanit, aktivitet ky në të cilin ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit.
Kryetari Lutfi Haziri, ka uruar pronarin e fabrikës për këtë sukses, ndërkaq ka kërkuar mobilizimin e fondeve shtesë në kodin e subvencioneve për bujqësinë, sepse tregu për shitjen e gjedhit në Gjilan, Kosovë dhe më gjerë tashmë është i sigurtë në fabrikën “Calabria”.
“Komuna e Gjilanit, krahas angazhimeve dhe mbështetjes që ka dhënë për fermerët në kultura të ndryshme bujqësore, do të shtoj subvencionet në sektorin e blegtorisë dhe kryesisht në rritjen e gjedhit sepse është i domosdoshëm ngase kërkesat janë shumë të mëdha. Fabrika për përpunimin e mishit “Calabria” është storie e suksesit të privatizimit. Kjo fabrikë është një shembull i mirë në Gjilan dhe është një pasqyrë se si të veprohet edhe me ndërmarrje të tjera”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka kërkuar nga qytetarët e vendit, që të konsumojnë prodhimet e mishit të prodhuara në Kosovë, ndërsa nga fermerët ka kërkuar angazhim për shtim të numrit të gjedhit.
“Kërkojmë nga qytetarët e vendit që të konsumojnë sa më shumë produktet e fabrikës “Calabria”, sepse mishi i përpunuar këtu është i pastër, i kontrolluar dhe i monitoruar vazhdimisht. Gjithashtu, edhe planifikimet për të ardhmen në sektorin e bujqësisë tash e tutje do të jenë gjithnjë në favor të subvencionimit të bujkut. Ndërsa, në planifikimin e ardhshëm me shkollën e agro biznesit në Gjilan, do ta kemi parasyshë përpunimin e mishit dhe drejtime të tjera përcjellëse”, ka thënë mes tjerash Haziri.
Kurse Xhelal Selimi, pronar i fabrikës për përpunimin e produkteve të mishit, ka thënë se kjo është arritur falë përcaktimit të fuqishëm për të punuar në Kosovë, pastaj angazhimin e vazhdueshëm për nevojat e tregut dhe gjithsesi edhe përqëndrimin që prodhimi të jetë pjesë e fuqishme e ndërmarrjes “Calabria”.
Ai ka thënë se deri në këtë fazë investimi kalon shifrën 2.5 milion euro, derisa nevojat janë edhe më të mëdha, por bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, me Komunën e Gjilanit, me donatorët si USAID dhe të tjerë, e bënë këtë angazhim më të lehtë.
Ndryshe në këtë fabrikë kapaciteti i plotë i prodhimit ditor është therrja e mbi 700 krerë gjedhë dhe produktet e përpunuara janë; mishi i freskët, suxhuku, sallami, proshuta dhe produkte të tjera nga mishi i cilësisë së lartë.