Qerim Çoçaj nga Hasi i Prizrenit mbeti i vdekur nga aksidenti me kamion që ndodhi dje në qendër të qytetit të Gjilanit. I ndjeri do të varroset sot në varrezat e qytetit të Prizrenit. Ndërkohë, në Komunën e Gjilanit është shpallur ditë zie për vdekjen e Çoçajt.
Në mesin e qytetarëve të shumtë që kanë marrë rrugën për në shtëpinë e familjes Çoçaj për ngushëllime, është edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri ka shpallur ditë zie për vdekjen e Qerim Çoçajt, i cili humbi jetën dje pasi u godit nga një kamionë që po transportonte ujë.
Haziri tha se Gjilani ka humbur një humanist, dhe se falë Qerim Çoçajt është shpëtuar jeta e tre fëmijëve. Derisa tha se rasti gati është zbuluar pasi që pjesa ku ka ndodhur aksidenti ka qenë e mbuluar me kamera në 97 pika.
“Gjilani është ballafaquar me humbjen e një humanisti. Ai është gjilanas për ketë është sot ditë zie. Prokuroria ka me dal me detaje mirëpo rasti gati është zbuluar sepse ne 97 pika ka qene e mbulume prej kamerave dhe e dimë cka ka ndodh. Falë tij kanë shpëtuar katër fëmijë”, tha Haziri.
Ndryshe, kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.
Nga goditjet e kamionit kanë mbetur të lënduar mbi 20 persona dhe janë shkatërruar mbi 10 vetura.Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar QKUK./Gazeta Express