Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka kujtuar sot sakrificën e familjeve Mala dhe Berisha, duke theksuar krenarinë dhe dhimbjen që ato përjetojnë çdo vit për të rënët e tyre.
Haziri ka nderuar veçanërisht figurën e bacës Rexhë, babait të dëshmorit Nuhi Berisha, duke e cilësuar si simbol të qëndresës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Haziri ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij gati një shekullor dhe ka deklaruar se vepra e Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të gjithë dëshmorëve mbetet e përjetshme.
Sot, familjet Mala e Berisha, sikurse çdo vit, ndiejnë krenarinë e madhe dhe dhimbjen në të njëjtën kohë, pasi i dhanë kombit e atdheut më të dashurit e tyre, për t’i gëzuar miliona shqiptarë me lirinë dhe pavarësinë në republikën e tyre.
Sot na mungon shembulli i qëndresës dhe simboli ynë, babai i dëshmorit Nuhi Berisha, baca Rexhë.
Faleminderit, baca Rexhë, për krejt atë që ke bërë për ne, për rreth një shekull jete, faleminderit që na mësove qëndresën, që nuk u theve asnjëherë, që na mësove si të mos koritemi asnjëherë para familjes, para atdheut dhe para Zotit.
Lavdi e përjetshme veprës heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe të gjithë dëshmorëve e heronjve të kombit!










