Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Gjilanit, ka folur edhe për çmimin që u raportua se ai ka pranuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ai ka thënë se posedon edhe certifikata tjera nga guvernatorë amerikanë, që u jepen shtetasve amerikanë.
“Unë kam certifikatë që jep guvernatori i shtetit të caktuar për shtetas amerikanë, me tituj amerikanë, që na kanë dhënë jo vetëm mua por gjithë delegacionit prej dhjetë vetash, gjatë vizitës te ai guvernator”, tha Haziri duke treguar se ai vetë nuk ka nënshtetësi amerikane.
I pari i Gjilanit ka thënë se ambasada amerikane është duke e zbardhë gjithë procesin, nëse ka pasur ndonjë parregullsi.
“Nominimin nuk kam pasur të drejtë të refuzoj, por jam në pritje të vendimit të bordit për të konfirmuar legjitimitetin e këtij procesi, por unë nuk e kam kërkuar këtë çmim, nuk mund të refuzoj diçka që më kanë sjellë në shtëpi”.
I bindur se çmimi që ka pranuar është legjitim, nënkryetar i LDK-së ka mohuar të ketë paguar para“Nuk kam paguar asnjë centë, dhe besoj se është një çmim legjitim”, deklaroi Lutfi Haziri.