Kryetari i Komunës së Gjilanit njëherit dhe Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se ai bën pjesë në grupin e pak njerëzve të partisë që nuk kanë humbur asnjë garë jashtë LDK-së. Ndërsa për të rinjtë e kësaj partie thotë se janë vlera, por jo aq sa për ta udhëhequr LDK-në.
Haziri në Pressing të Televizionit 7 foli për zgjedhjet e brendshme të LDK-së.
Nënkryetari i LDK’së që tashmë ka deklaruar ambiciet e tij për ta udhëhequr partinë, thotë se është prej të paktëve të partisë që është dëshmuar në disa dekada prej kur është pjesë e LDK-së.
“Jam i dëshmuar në LDK. Askush nuk më ka dhuruar asnjë pozitë. Mua dhe disa të tjerëve si Haki Rugova e Agim Veliu. Ne nuk kemi humbur asnjë palë zgjedhje jashtë partisë”, ka thënë Haziri.
Ai thotë se të rinjtë e LDK-së janë vlera për këtë parti, por, sipas tij, nuk mund të injorohen ata që kanë qenë nga fillimi në këtë parti.
Haziri ka përmendur edhe deputeten Vjosa Osmani, me të cilën ai ka raporte jo të mira dhe madje ka pasur edhe përplasje publike.
“Nuk kanë kuptim zgjedhjet pa emra të ri, ata i jepin vlerë LDK-së. Kandidimi i Vjosa Osmanit për deputete i ka bërë nder LDK’së. Edhe i Lumir Abdixhikut, e Driton Osmanit”.
Megjithatë ai është kujdesur t’u tregoj vendin atyre që ai i quan “të rinjtë e LDK-së”
“Emrat e ri janë të mirëseardhur, por jo s’ka vend për dikë që dëshiron hapësirë vetëm për vete”, ka thënë tutje Haziri.
“Vjosa Osmani ka dështuar të zgjidhet deputete në listën e Presidentit Sejdiu. Ka qenë dëshpërim për z. Sejdiu sepse ka qenë kandidaturë e sponsorizuar nga ai. Më vonë Vjosa Osmani është vendosur numër 3 në listë zgjedhore”, ka thënë tutje Haziri.