Në vigjilje të 12-vjetorit shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, ku prezentë ka qenë edhe rektori Bajram Kosumi, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati dhe autoritetet tjera.
Me këtë rast, Haziri ka folur për tri dekadat e mëdha, të cilat sollën përpjekjet shekullore të shqiptarëve për të qenë ta pavarur, të lirë dhe të barabartë.
Ai tha se tri dekadat e mëdha e kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, që është zgjidhja më e mirë dhe e vetme, duke shtuar se këtë përpjekje gjenerata të tëra e kanë paguar shtrenjtë.
“Dekada e parë 1980-1990 është dekada e zgjimit për të qenë të barabartë. Kjo gjeneratë e kryengritësve të rinj, pra e studentëve, e zgjoi popullin për ta vazhduar rrugën e saj për liri”.
“Në dekadën e dytë, përpjekja për liri nis me pajtim dhe kjo nuk e ka kuptimin vetëm të faljes së gjakut, por edhe faljes politike, pasi të prirë nga Ibrahim Rugova, të gjithë u bënë bashkë për ta ndërtuar dekadën e dytë 89-99. Një unifikim të tillë që nuk e ka njohur historia deri në këtë rast, e cila kulmoi me kryengritjen e viteve 98-99, që e pasoi gjeneratën që e nisi kryengritjen në vitet 80-ta”.
“Dekada e tretë është ajo se si do të dukej Kosova, me një proces të ngadalshëm, me një mision ndërkombëtar për garantimin e paqes, negociatave të stërzgjatura për statusin final, për të kulmuar me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Angazhimin tonë politik deri në këtë finale e kemi bërë me unitet të plotë, pozitë-opozitë. Është fat i madh që erdhi propozimi i presidentit Ahtisaari, që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Haziri.
Ndërkohë, gjatë adresimit para të pranishmëve, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se Lutfi Haziri ka qenë njëri nga protagonistëve më të mëdhenj të shtetndërtimit, derisa ka folur për përpjekjet shekullore të shqiptarëve për
“Sot ne po e përjetojmë lirinë për të12-tën herë me radhë. Duke e bërë lirinë bashkë dhe duke e përjetuar në mënyrë personale, sot na bashkojnë në këtë sallë dy gjëra, kujtimi i së kaluares dhe besimi e shqetësimi për të ardhmen. Ne kemi qenë një popull i paragjykuar që të zhbëhet, por etrit tanë themelues, që nga Hasan Prishtina e deri tek Adem Jashari, nuk fjetën e nuk menduan për kënaqaësinë e kësaj jete, ata e projektuan lirinë tonë rreth 100 vite. Prandaj, sot ju themi etërve tanë, ju faleminderit”, tha Kosumi.
Para të pranishmëve, ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, i cili ka thënë se ata që kontribuan për këtë ditë, do të kujtohen gjithmonë me respekt maksimal.