Në Konventen madhështore të organizuar të shtunën nga Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, nënkryetari i LDK’së në nivel qendror, njëherësh kryetar i Degës, Lutfi Haziri, ka thënë se ky mekanizëm në vitet e fundit është bërë promotor i proceseve dhe masivizimit të partisë.
“Këto katër vite kanë dëshmuar se Forumi i Gruas është promotor i proceseve dhe masovizimit të LDK’së, përfaqësuese politike në institucione, vendimmarrëse, përfaqësuese të denja dhe me këtë rast i falënderoj dy herë, karshi burrave dhe të rinjve. Nënat e bashkëshortet tona janë bartëset kryesore të familjes. Lidhja jonë është bazuar në familje, pra tek roli i grave, i femrës si shtyllë në familje për stabilitet”, ka thënë Haziri.
Se sa e respekton gruan LDK, i pari i Degës dhe i Komunës, pohoi se tregon fakti që është marrë vendimi për vendosjen e Monumentit të Heroinës në Gjilan, që e mban emrin e dëshmores, Hanëmshahe Abdullahu (Nushi).
Kryetari Haziri ka thënë, po ashtu, se tashmë janë përfunduar zgjedhjet brenda partisë nëpër nëndegë, që kanë kulmuar me Konventën e Rinië dhe atë të Gruas, derisa kanë mbetur vetëm edhe tri nëndegë për ta përfunduar procesin.
Ai ka njoftuar se këtë procss zgjedhor e karakterizon fakti që afro 50 për qind të të zgjedhurve në nëndegë janë emra e personalitete të reja në struktrurë, me pjesëmarrje të mbi 6 mijë njerëzve, përderisa janë zgjedhur 980 aktivistë e veprimtarë.
Ndërsa, kryetarja e Forumit të Gruas së LDK’së në Gjilan, Valentina Bunjaku Rexhepi, tha se ndihet krenare dhe e privilegjuar që ky mekanizëm është dëshmi e Lidhjes së madhe të LDK’së dhe fitoreve të njëpasnjëshme në Gjilan.
“Me punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, u bë e mundur që gratë në Komunën e Gjilanit ta kenë vendin e merituar në vendimmarrje. Për këtë, merita më e madhe i shkon kryetarit Lutfi Haziri. LDK është lidhje e besës dhe e shpresës së madhe ku ka vend për të gjithë, sidomos për zonjat dhe zonjushat ”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.
Këtë Konventë e kanë përshëndetur edhe kryetarja e Forumit të Gruas së LDK’së në nivel qendor, Lirije Kajtazi, ish-ministri Fatmir Rexhepi dhe deputeti Imet Rrahmani.
Përndryshe, kreu i LDK’së në Gjilan ka thënë se zgjedhjet janë përcjellë me solemnitet dhe unitet për të dëshmuar bastionin e Rugovizmit, duke shtuar se në korrik pritet të mbahet Kuvendi i madh i Degës i cili ka 103 delegatë, ku pritet zjedhja e kryetarit, kryesisë dhe e 29 delegatëve për Kuvendin Qendror.