Ftesa e Lëvizjes Vetëvendosjes për protesta të përbashkëta me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për nënkryetari ne LDK-së, Lutfi Hazirin, njëherësh kryetar i komunës së Gjilanit, është një ftesë e limituar. (shih shkrimin: Vetëvendosje fton LDK-në për organizimin e përbashkët të protestave)
Megjithatë, Haziri tha se kjo do të diskutohet në organet e partisë duke i marr të gjitha rrethanat parasysh dhe shumë shpejtë do të dalin me qëndrim të qartë dhe në interes të Republikës.
Haziri tha se ftesa e Vetëvendosjes për protestë është një ftesë e limituar duke pas parasysh që ftesa do të duhej të ishte për një bashkëpunim për zhvillim, për një qeverisje ndryshe që funksionon me parametra në interes të qytetarit, e jo të parisë politike dhe bashkëpunim për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Megjithatë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se protestat për këtë fazë mendon se nuk janë zgjidhje dhe se është befasuese, siç thotë ai, qëndrimi i Vetëvendosjes karshi zgjedhjes kombëtare, zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ai shtoi se subjektet politike duhet të bashkohen dhe të tregojnë unitet në çështjet e rëndësishme të Republikës.
Haziri ka vazhduar ta përsërisë qëndrimin e tij për Kosovën Lindore, që thotë se nuk ka ndryshuar dhe në këtë drejtim pret nga Vetëvendosje ta përkrahë. Haziri ripërsërit se zgjidhja më e mirë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte që të vendosej kufiri i vitit 1956, ku Kosovës do t’i bashkëngjiteshin Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Ai ka shtuar se edhe ashtu kjo pjesë ka qenë historikisht dhe gjeografikisht gjithmonë pjesë e pandashme e Kosovës dhe se ka ardhur koha që kjo të korrigjohet/rregullohet.
“Ka ardhur koha me e zgjidhë përfundimisht këtë padrejtësi historike”, ka thënë Haziri.