Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror z. Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për medie, ku ka folur për konstruktivitetin e madh të LDK-së në Kuvendin Komunal, për t’i mbështetur shoaqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar.
Përkundër që VV e solli Gjilanin në një gropë të zezë financiare, duke mos realizuar asnjë plan të investimeve, LDK rikonfirmoi konstruktivitetin e madh në Kuvendin Komunal duke mbështetur maksimalisht shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar.
LDK do t’i bëhet gjithmonë krah i mbështetjes për Handikosin, Shoqatën e të Verbërve, shoqatën Pema, nxënësit, bujqit dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Por, e keqja e madhe është që Gjilani për më shumë se tri vite ka humbur parametrat zhvillimorë, sepse synimi i kësaj administrate është punësimi i kunatave e balldëskave, punësimet klienteliste e puro partiake.
Gjilani tash e tri vite e ka humbur vëmendjen e Prishtinës dhe ne si listë e LDK-së në Gjilan, zotohemi para qytetarëve se do ta rikthejmë kujdesin e Prishtinës sa u përket investimeve të mëdha. Veç Rruga e Re e LDK-së, me kryeministër Lumir Abdixhikun, garanton investimet e Gjilanit e Anamoravës.
Vota më 9 shkurt, përkthehet si votë edhe për Komunën dhe për Kuvendin e Republikës.
Gjilani dhe Kosova meriton shumë më shumë dhe shumë më mirë, tha kryetari z. Haziri.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan
14 dhjetor 2024