Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Arifi me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të arsimit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Hetem Arifi.
Në këtë telegram, kreu i Gjilanit e ka vlerësuar lartë figurën e Arifit për arsimin shqip, ndërkaq ka thënë se ai na mësoi se si të mos i durojmë padrejtësitë e kohës.
“E nderuara familje Arifi,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit e arsimit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Hetem Arifi.
Mësuesi Hetem, qysh në rininë e hershme nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësitë e kohës, për çka edhe u burgos si i papërshtatshëm për regjimin.
Përveç tjerash, ai na mësoi se si të mos i durojmë padrejtësitë e kohës.
Mësuesi Hetem Arifi nuk jeton më, por do ta kujtojmë për sa të jetë jeta për kontributin e jashtëzakonshëm në arsim, në edukimin e shumë brezave, kontributin në manifestimin “Flaka e Janarit” gjatë viteve të rënda për shqiptarët, në sferën e teatrit, sikurse edhe për lëminë letërsisë dhe kulturës.
Jam krenar që në 7 marsin e vitit 2016 e kam nderuar me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në shumë fusha.
Ju lutem, pranoni ngushëllimet më të sinqerta ju, familje e nderuar, kolegët e shkollës “Abaz Ajeti” dhe nxënësit.
Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegram.