Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri bashkë me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka pritur sot në takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Faleminderit ambasadorit Minxhozi që përvec mbështetjes dhe interesimit të vazhdueshëm, Gjilanit po i sjell edhe miqësi e bashkëpunim me të gjitha potencialet që i ka. Sot do të vizitojmë ekonominë gjilanase, prodhimin dhe biznesi privat. Për sanimin e pasojave të tërmetit, i konfirmova se Komuna e Gjilanit ka zgjedhur ta mbështesë Bashkinë e Lezhës”, tha Haziri pas takimit.
Ai ka apeluar të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë deklaruar mbështetje në mbrëmjen humanitare që t’iu përmbahen premtimeve dhe mjetet t’i derdhin ato në llogaritë zyrtare.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për projektin e përbashkët humanitar me rotarianët e Gjilanit për mbështetje për rikonstruktimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Lezhë.
“Faleminderit nga zemra për këtë pritje shumë të ngrohtë dhe vëllazërore. Unë dëgjova me kujdes për punën që ka bërë Komiteti, një organizim i madh dhe shembullor. Më bëri përshtypje që Gjilani ka qenë qendër për menaxhimin pandemisë edhe për qytetarët e Luginës. Kjo tregon se sa të bashkuar jemi ne edhe në raste të emergjencave. Kjo duhet të merret shembull edhe nga komunat tjera”, tha ambasadori Minxhozi.
Pas takimit, ka folur edhe kryetari i klubit të rotarianëve “Gjilani”, Gëzim Kllokoqi, i cili ka falënderuar të gjithë donatorët dhe mërgatën për mbështetjen e ofruar në fondin i cili do të shkojë për mbështetje ndaj qytetarëvt të goditur nga tërmeti në Lezhë.
Pas takimit, kryetari Haziri dhe ambasadori Minxhozi kanë vizituar kompaninë për prodhimin e mobileve “Palma”, të cilët janë shprehur të jenë të impresionuar me punën, angazhimin dhe sukseset e kësaj kompanie si brendi më i madh i regjionit.
Për vizitën dhe vlerësimin e lartë ka shprehur falënderim pronari kompanisë Palma, Ekrem Shahini.