Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka dalë me reagim pas raportimeve në mediat zvicerane se ka pasur ‘takime sekrete’ mes përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë në Zvicër.
Haziri tha se “përkundër që NZZ, si gazetë me prestigj të lartë, ka bërë një shkrim dhe Departamenti i Jashtëm i Zvicrës ka bërë sqarimet adekuate, tashmë dihet se prej vitit 2015, ky Departament mbështet përmes CIG-ut një takim të përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut”.
Ish-kreu i Gjilanit shtoi se ky departament punon në rregullat e “Chatham House” dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit.
Madje, ai u shpreh se është më shumë takim rekomandues. Shtoi se kështu ishte edhe ai i fundit që u mbajt në Zvicër e që ka dalë me një ‘nonpaper’.
Sipas Hazirit, ai takim ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot.
“Formate të tilla të takimeve kanë organizuar dhe mbështetur edhe vendet tjera. LDK merr pjesë në çdo tavolinë që ftohet për të diskutuar çështje të tilla por negocimi i vetëm mbahet në Bruksel nga ana e kryeministrit, respektivisht Qeverisë së Kosovës”, përfundoi Haziri.