Gjilan, 25 mars 2017 – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, në Gjilan ka nisur tribuna shkencore për nderë të 170 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes së heroit të kombit, Idrzi Seferi me temën “Idriz Seferi një jetë për Shqipërinë 1847-1927”, të cilën e ka organizuar Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”.
Pos institucioneve lokale, në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe familje e heroit Idriz Seferi, studiues, historianë, e profesorë nga Kosova e Shqipëria.
Në hapjen e kësaj tribune, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri tha se Idriz Seferi meriton t’i kushtojmë dekada për kryengritjen e tij të madhe për ta bërë Shqipërinë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi mbështetur këtë tribunë, e cila është në kuadër të shënimit të kalendarit për vitin 2017, që lidhet me emrin e Idriz Seferit. 2017-ta është vit i Idriz Seferit, por atij i takojnë edhe dekadat sepse ka bërë Epope dhe kryengrtije të madhe për ta bërë Shqipërinë. Ky përvjetor i madh i lindjes dhe i vdekjes, na bashkon të gjithëve për ta zbardhur rolin e tij në historinë për bërjen e Shqipërisë, të kryengritjes së Karadakut, luftëtarëve të tij, Gollakut, e Moravës e Kosovës, për ta marrë detyrën më të rëndë që e kishte, çlirimin e kryeqytetit të Vilajetit të kosovës, Shkupi”, ka deklaruar në fjalën e tij, kreu i Gjilanit.
Haziri tha se ne jetojmë edhe me legjendën e Idriz Seferit, për dallim nga bashkëpatriotët në Prizren, Tiranë, Drurrës, Vlorë apo Skrapar, sepse ne kemi jetuar në afërsi të tij fizikisht dhe gjeografikisht.
“Gjyshërit tanë kanë qenë bashkëluftëtarë të tij dhe të cilët janë dënuar bashkë me të dhe kanë vuajtur edhe okupimin e rëndë të luftërave të kohës dhe në fund kanë qenë edhe jesirë (rob), të burgosur dhe janë ndarë nga kjo jetë me mallin për Shqipërinë. Kjo legjendë, neve na bënë edhe të obligueshëm që vepra e tij të zbardhet deri në fund”, ka theksuar kryetari Haziri.
Ai e ka vlerësuar si hap të mirë të Shoqatës së Historianëve organizimin e kësaj tribune, ndërkaq u ka rikonfirmuar se Komuna e Gjilanit do të financoj çdo detaj të kësaj kryengritje, të cilën e nxjerrin në dritë njerëzit e letrave, shkrimtarët, poetët, studiuesit etj.
Haziri tha në fund se nga kjo kryengritje nuk ndahet në asnjë mënyrë roli i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Kjo padrejtësi, e cila nuk është zgjidhur deri në fund, nuk e i lë rahat asnjëherë eshtrat e Idriz Seferit dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha Haziri.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Fehmi Rexhepi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen në organizimin e kësaj tribune të rëndësihme, duke thënë se “historia është mësuesja e jetës dhe ndriçuesja e të kaluarës”.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit në kalendarin e saj për këtë vit ka paraparë aktivitete të vazhdueshme për çdo muaj, të cilat i kushtohen heorit, përfshirë edhe zhavarrosjen e eshtrave në Varrezat e Dëshmorëve, ndërkaq më 28 nëntor do të përfundojnë aktivitetet në mënyrë solemne me vënien e shtatores së madhe të tij në qendër të qytetit.
Në këtë tribunë shkencore do të paraqiten me kumtesa 19 historianë e studiues nga Kosova e Shqipëria, me qëllim të pasqyrimit të personalitetit dhe veprimtarisë së Idriz Seferit në të gjitha dimensionet politike, ushtarake, shoqërore, kulturore, arsimore, historike dhe historiografike.