Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të enjten seancën e parë për këtë vit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku pas një debati të gjerë, ka miratuar vendimin për formimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokalë si dhe ka përcaktuar një kompensim për kryetarët e këtyre këshillave, në lartësi prej 50 euro për takim, por që nuk mund të jetë më tepër se 100 euro brenda një muaji, vendimin për lejimin e zgjerimit të varrezave në fshatin Ponesh, vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme të pronarit Nazmi Starabaja, rekomandimin e Komitetit për Barazi Gjinore për vendosjen e monumentit të gruas në qendër të qytetit si dhe raportet e punës së Komiteteve komunale për vitin 2018, përkatësisht planet e punës për vitin 2019 të këtyre trupave komunale si dhe kërkesën e tetarit të qytetit për mbështetje financiare.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke u përgjigjur në pyetjen se pse nuk u realizua kredia austriake për trajtimin e ujërave të zeza, të cilën e shtroi Arijeta Rexhepi (VV), ka thënë se jemi tërhequr nga kjo kredi për arsye se Komuna e Gjilanit është përfshi në grantin e BERZH-it për trajtimin e ujërave të zeza në shumë prej 30 milionë eurosh dhe nuk ka pasur nevojë të marrë kredi.
Sa iu përket investimeve në fshatin Uglar, që sipas këshilltares Arbëresha Kryeziu-Hyseni (LVV), është anashkaluar viteve të fundit, kryetari Haziri ka thënë se investimet në komunën e Gjilanit bëhen sipas parimit të barazisë, meqë secili lokalitet meriton të ketë infrastrukturë bazike. Për sivjet, pos përfitimeve që ky lokalitet do t`i ketë nga projekti i trajtimit të ujërave të zeza, është paraparë asfaltimi i rrugës Uglar- Zabel, që nga këshilli lokal është vendos si prioritet numër një.
Në lidhje me pyetjen për bastoret dhe lojërat e fatit, të ngritur nga Nehat Osmani (LVV), ai ka thënë se në këtë segment, kompetencat e Komunës janë të kufizuara, por ka nënvizuar se personalisht është ithtar i largimit jashtë qytetit të këtyre lojërave.
“Ecohigjiena” vazhdon të jetë temë debati edhe më tutje në seancat e Kuvendit Komunal, ku kësaj here janë kërkuar sqarime rreth gjendjes në këtë kompani nga këshilltari Riza Abdyli (PDK). Haziri ka thënë se partneri austriak nuk i ka përmbushur obligimet e veta në planin e investimeve, ndërkohë që ka larguar edhe punëtorë dhe ka refuzuar t`i kthejë ata në vendet e punës, sipas vendimit të gjykatës.
Megjithatë, kryetari Haziri ka thënë se, pavarësisht problemeve menaxheriale në “Ecohigjiena” ai beson edhe më tutje se partneriteti publiko-privat duhet të jetë kulturë e menaxhimit të ndërmarrjeve publike, derisa i ka dhënë mbështetje të drejtës së punëtorëve për kthim në vendet e punës, duke sqaruar se ky edhe është problemi kryesor në këtë partneritet.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë për t`i zgjidhur të gjitha problemet në këtë kompani, ndërsa partneri privat ka filluar të negociojë me partnerë të tjerë për t`i shitur aksionet e veta”, ka thënë kryetari Haziri, duke nënvizuar faktin se kjo nuk mund të ndodh pa Komunën, e cila ka 49 për qind të aksioneve në këtë partneritet.
Sa i përket vendosjes së shtyllave dhe tabelave të emërtimeve të rrugëve, projekt ky që ka filluar të realizohet në terren, ndërsa si çështje është ngritur nga Nevzad Isufi (LVV) e Ibish Ibishi (G/2), kryetari Haziri ka thënë se mund të ketë edhe gabime në terren, ngaqë operatori është i huaj, por ka premtuar se të gjitha lëshimet do të zgjidhen me mirëkuptim.
Ndërkaq në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve të fondit nga aksioni “Pak nga ne, shumë për ata”, që e ngriti Bujar Nevzati (PDK), i cili ka kërkuar përgjigje edhe për rastin e Adil Thaçit, i cili ka nevojë për renovimin e kulmit të shtëpisë, kryetari Haziri ka thënë se mjetet e këtij viti janë të destinuara për studentët, ndërkaq më herët, nga ky fond dhe mjetet e Komunës, janë ndërtuar afër 100 shtëpi për nevojtarë, 50 janë rinovuar, 6 të tjera janë në rinovim e sipër, ndërsa 51 familjeve të tjera iu kompensohet qiraja mujore e banimit.
Kryetari Haziri është përgjigjur edhe në interesimet e këshilltarëve tjerë: Xhelal Hajrullahu, Anila Tusha, Shefik Surdulli, Enver Hajrullahu, Imrane Thaqi, Shemsedin Elezi dhe të tjerë, të cilët pos kritikave ndaj qeverisjes komunale, kanë pasur edhe komplimente, siç ishte ai i Shefik Surdullit për inspektorët e tregut dhe të komunikacionit.
Ndërsa, Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka thënë se rasti i Adil Thaçit është përfshirë në listën e dhjetë familjeve me fëmijë të hendikepuar që kanë nevojë për ndihmë dhe do të ndihmohen. Kurse sa i përket mbikalimit te tuneli, në rrugën e Prishtinës, Ismajli ka thënë se punimet do të fillojnë sapo të rregullohet koha.
Në pyetjet tjera janë përgjigjur drejtorët Bekim Bajrami, Selami Xhemajli e Nevzat Rushiti.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se kjo qeverisje është duke i kryer punët e saj sipas planit të saj dhe këtë është duke e bërë mjaft mirë.
Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën e tetarit të qytetit për mbështetje financiare, që e arsyetoi Gentrit Murseli (LDK), por e ka reduktuar shumën në 31.529 euro, aq sa janë obligimet e mbetura nga viti paraprak, meqë siç sqaroi drejtori i Financave, Zijadin Maliqi, mjete të tjera nuk mund të ndahen derisa nuk miratohet buxheti në Kuvendin e Kosovës.
Votat e kuvendarëve i ka marrë edhe propozimi për vendosjen e një monumenti të gruas në qytetin e Gjilanit, si propozim i Komitetit për Barazi Gjinore, por pati dilema sa i përket hapësirës ku do të vendoset, meqë në kërkesë përmendet qendra e qytetit, e cila është ngarkuar me monumente. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se sot vendoset vetëm për monumentin e gruas, ndërsa për hapësirën, sikurse edhe pamjen e monumentit, Kuvendi do të vendosë më vonë.
Pas një debati konfrontues, ku opozita ka shprehur mospajtime me procedurën, duke kërkuar që të mos zhvlerësohen çmimet në këtë mënyrë, Kuvendi ka miratuar rekomandimet për shpalljen “Qytetar Nderi” të Irakli Koqollarit, ndërkaq me titullin “Nderi i Qytetit” janë nderuar Ekrem Rukovci, Shemsedin Abazi, Shukri Sylejmani dhe Selami Osmani (pas vdekjes).
Shefik Surdulli (PDK) ka thënë se mes këtyre propozimeve, ka edhe emra që qytetari i Gjilanit nuk i njeh dhe as nuk i di meritat e tyre për këtë qytet.
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, duke kërkuar mbështetje për këto propozime, ka thënë se nuk beson që ka qytetar në Gjilan që nuk i njeh këta emra.
Po ashtu, me insistimin e këshilltares Mimoza Kadriu (Nisma) në rend dite u përshi edhe propozimi për emërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan “Agim Ramadani”, i cili nga Kuvendi u miratuar në mënyrë unanime.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se propozimi i Kuvendit Komunal të Gjilanit për emërimin e autostradës Gjilan-Prishtinë “Agim Ramadani” do t`i përcillet nivelit qendror të pushtetit, meqë rrugët e këtij niveli janë përgjegjësi e tij.
Me kërkesën e opozitës, Kuvendi u njoftuar edhe me raportin e Drejtorisë së Arsimit mbi përfundimin e gjysmëvjetorit të parë, përkatësisht fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, ku konstatohet një ngritje e kënaqshme e suksesit të nxënësve, krahasuar me gjysmëvjetorin e parë të vitit të kaluar shkollor, përderisa mungesat e paarsyeshme kanë shënuar rënie.
Ndërkaq, gjysmëvjetori i dytë nuk ka filluar ende, për shkak të grevës së mësimdhënësve, gjë që ka rezultuar me humbje të konsiderueshme të orëve mësimore.