Kosova në datën 14 shkurt do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare dhe të gjitha forcat politike janë në terren në përpjekje për të siguruar votën e elektoratit.
“Balkan Talks” në Euronews Albania në episodin e radhës kishte në fokus partinë më të vjetër në Kosovë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe përgatitjen e saj në fushatën zgjedhore.
Për të treguar më shumë për fushatën dhe synimet e tyre, “Balkan Talks” bisedoi gjatë me nënkryetarin Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetari i bashkisë së Gjilanit. Ai pranoi publikisht se LDK-në e pret përpara një fushatë e vështirë elektorale.
“Çdo proces zgjedhor ka vështirësitë e veta, sfidat dhe problemet që sjell procesi zgjedhor në përgjithësi, por ajo që është vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje. Pas rezultatit të 6 tetorit pas bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, që zgjati 50 ditë ne ndërtuam qeverisjen e pakicës me shumë probleme dhe sfida në politikë”,-rrëfen nënkryetari Haziri.
Shumë e kanë kritikuar këtë lëvizje të LDK-së si të pamoralshme, por kryetari i Gjilanit nuk e mendon kështu.
“Ne nuk kishim alternativë tjetër dhe qeverisja e zotit Hoti është ndërtuar si opsion i vetëm meqenëse ne si forcë e dytë e dalë nga zgjedhjet duhet të ndërtonim qeverinë”,- thotë kryetari i Gjilanit.
Ish-bashkëpunëtori i LDK-së në qeverisë e formuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, ish-kryeministri Albin Kurti është shprehur se: “Lidhja Demokratike e Kosovës është një forcë që nuk duhet marrë seriozisht”, por ky etiketim i bërë nga lideri i VV-së nuk mund të konsiderohet si i vërtetë për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Në fakt ne jemi të njohur me ndryshimet e zotit Kurtit sa i përket edhe LDK-së, por edhe çështjeve të tjera politike. Tani jemi në një garë politike dhe fjalori politik e qëndrimet bëhen për konsum politik, ndërsa ne nuk jemi parti e tillë”, shprehet Haziri.
Gjatë intervistës gazetari Franko Egro u ndal dhe te largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja. Për z. Haziri, largimi i zonjës Osmani është humbje e madhe për të dhe jo për partinë.
“Do dëmtohet vetë zonja Osmani në kontekstin e gjatë politik dhe jo LDK-ja, se ajo do vazhdojë të jetë në politikë”,- thotë Lutfi Haziri.
Teksa iu referohet sondazheve dhe perceptimit publik, Lufti Haziri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është kandidate potenciale për të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Unë dhe zoti Hoti do marrim përgjegjësinë dhe do të bëhem gati për të fituar, pasi sipas sondazheve tona jemi në garë për të dalë fituese”,- tregon nënkryetari i LDK-së.