Në një konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka kërkuar përfundimin sa më të shpejtë të hetimeve për skandalin e thyerjes së derës së buxhetit në këtë komunë nga persona të paautorizuar.
Sipas tij, ky rast ka sjellë dorëheqjen e drejtoreshës së dikasterit përkatës, duke dëshmuar, siç tha ai, shqetësimet e vazhdueshme të LDK-së për keqqeverisjen e VV-së në Gjilan.
Haziri ka ngritur edhe shqetësime të tjera lidhur me moszbatimin e projekteve, nepotizmin në punësime dhe keqpërdorimin e aseteve publike, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë.
Komunikata e plotë:
LDK kërkon që hetimet të përfundojnë sa më shpejt për skandalin e thyerjes së derës së buxhetit në Gjilan nga persona të paautorizuar
Ky skandal ka detyruar të ‘dorëhiqet’ drejtoreshën e këtij dikasteri, e cila e faktoi atë që LDK e ka alarmuar në vazhdimësi: VV edhe zyrtarisht e bëri Gjilanin si shitore të thyer. Hetimet urojmë që ta zbardhin këtë skandal të paprecentë në komunën tonë.
Duhet të ketë hetime edhe për moszbatim të projekteve sipas detyrës zyrtare, pasi disa projekte që kanë nisur më 18 janar janë pa leje të punës për shkak të problemeve me pronat e mos zbatimit të hartës zonale sipas Planit Zhvillimor Komunal, duke bërë krim urban,
Po ashtu, kujdesi ndaj nepotizmit dhe lidhjeve të ngushta në punësim po vazhdon të jetë logjikë pune e VV-së në Gjilan. Kjo mendësi e qeverisjes në Gjilan është e paprecentë, sepse qytetarët tashmë e dinë se për t’u punësuar në institucionet komunale duhet të jesh patjetër kunatë, baxhanak, balldëskë, dajë ose nip i të parit të ekzekutivit.
Punësimi i nipit të të parit të ekzekutivit në Njësinë e Zjarrfikjes, tregon qartë se si Komunën e shndërruan në një çiflig dhe kjo vërtetë është e pafalshme se si këta njerëz nuk kanë kurrëfar konsiderate që qytetarët po trajtohen në mënyrë kaq të pabarabart.
Shkelja tjetër e madhe që po ndodh në isntitucionet komunale në Gjilan është se punënjësve me kontrata mbi vepër të cilët janë punësuar në mënyrë të kundërligjshme, u është dhënë akses në asetet publike. Përpos si shkelje e rëndë e ligjit, tashmë janë plotësuar kushtet që të ballafaqohen me problemet penale sepse shifrat e shpenzimeve publike janë marramendëse.
Për fund, falënderoj Kuvendin Komunal, përkatësisht grupin e këshilltarëve të LDK-së të cilët kanë arritur të krijojnë një normalitet pune e një agjendë, për t’i zgjidhur disa nga problemet serioze që i ka pasur ky qytet.