Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën që ka mbajtur pas takimit të dytë ndërinstitucional lidhur me vlerësimin e gjendjes së përhapjes së sëmundjes me infeksion Covid-19, ka thënë se sot lakorja me të infektuar në Gjilan ka rënë edhe më tutje dhe po punohet vazhdimisht në menaxhimin e situatës.
“Nga 306 të infektuar me Covid-19 për gjithë periudhën e pandemisë, 164 janë shëruar plotësisht, 5 kanë humbur jetën në betejën me Covid-19, 137 raste janë duke u trajtuar sipas rekomandimeve të mjekëve dhe nën përkujdesjen e tyre, duke qëndruar në vetizolim. Nga 19 mostra të marra, sot kemi rezultatet për 4 raste të reja. Apeli ynë është i zakonshëm që të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.
Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ka thënë se gjendja është nën kontroll dhe shërbimet ofrohen me kapacitete të plota nga stafi profesional.
“Nga 42 pacientë që sot kishim në spital, 22 janë trajtuar me oksigjenoterapi dhe 20 kanë pritur për test të Covidit. Nga sot kemi një trajtim ndryshe në nivel të SRGj-së dhe kërkojmë falje prej kolegëve në Prishtinë sepse nuk mund t’u ofrojmë mbështetje në Prishtinë, me arsyen se stafi do të jetë i angazhuar maksimalisht në spital, për të menaxhuar sa më mirë situatën në të cilën jemi. Është e domosdoshme mbështetja me pajisje dhe mjete të tjera”, ka thënë mes tjerash Ismajli.
Nga dita e nesërme menaxhimi i rasteve do të jetë në nivelin e infektivës, pas rekomandimeve që jepen në nivelin primar shëndetësor dhe vetëm pasi infektologu të vlerësoj nevojën për testim do të rekomandohet testimi.
Komuna e Gjilanit është e angazhuar maksimalisht edhe me ekipet ndërinstitucionale për ta ngushtuar sa më shumë burimin e infeksionit në mënyrë që rastet aktive të shërohen sa më parë dhe njëkohësisht sa më pak raste të reja.
Luten të gjithë ata që janë në vetizolim që t’i respektojnë rekomandimet e ekipeve shëndetësore në mënyrë që bashkarisht ta përballojmë duke shpresuar që simptomat të jenë sa më të lehta.
Kryetari Haziri ka thënë se po punohet edhe në zbutjen e masave dhe është duke u përgatitur për javën e ardhshme në koordinim edhe me Komitetin e emergjencave në nivel të Republikës së Kosovës dhe të Komunës së Gjilanit, që bashkërisht ta përballojmë sa më mirë dhe sa më drejtë gjithë këtë situatë të pandemisë.