Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së ka thënë se kjo parti ende nuk ka bërë një analizë në detaje se pse nuk arriti që të fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, ndonëse të gjitha sondazhet e vendosnin si parti të parë në garë.
“Deri të dielën në drekë me sondazhe kemi qenë solid dhe të konsoliduar. Kemi pritur fitore. Na është përsëritur ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, që në 6 orët e fundit të zgjedhjeve ne të humbim”, ka thënë Haziri, në Interaktiv të KTV-së.
Haziri ka thënë se Kurti ka dalë lideri më i votuar, dhe është lideri i vetëm që nga pozita e tretë e ka nxjerrë parti fituese qoftë edhe për një ulëse më shumë.
“Në këtë rast z. Kurti ka tregu afinitet për me ngrit partinë në atë shkallë që e bën parti të parë”, ka thënë Haziri.
Duke komentuar se kjo parti nuk ka fituar zgjedhjet që nga viti 2004, Haziri ka thënë se “periudha e pas vdekjes së Rugovës ka qenë e vështirë”.
“Koha po tregon se ajo përçarje e orkestruar ka lënë pasoja të mëdha. Është bërë thyerja e madhe e LDK-së, thyerje e trenit të LDK-së”, ka thënë Haziri, duke shtuar se megjithatë Kurti arriti ta menaxhojë çarjen që i ndodhi në partinë e tij.
Megjithatë, Haziri ka thënë se LDK-ja po shkon drejt dyfishimit të votave.
“Në këto zgjedhje kemi 209 mijë vota, dhe pas certifikimit të rezultateve ne presim që të kemi vetëm një mandat më pak se kjo parti”, ka thënë ai.
Edhe në Gjilan, ku udhëheq Haziri LDK-ja ka dalë me rreth 5 mijë vota më pak se VV-ja.
“Është përsëritur me vitin 2017, i njëjtë. Ne e kemi një rritje prej 500 e diçka vota në krahasim me vitin 2017. Nëse hyn në garë në zgjedhje lokale sërish fitojmë ne. Një ditë mund të fitojë edhe VV-ja, se askush nuk ka besuar se fiton edhe PDK-ja por e kanë pasur një mundësi të qeverisin në Gjilan. Besoj se më nuk do të kenë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Por mendoj se LDK-ja dhe Vetëvendosje do të jenë në garë për të udhëhequr me Gjilanin”, ka thënë Haziri.
Tutje ai ka thënë se pret që opozita e ardhshme të ketë fuqi në Kuvend, por ka shtuar se “ata moralisht janë jashtëzakonisht shumë të dëmtuar për atë që kanë lënë trashëgimi në qeverisje”.
Sipas tij, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për koalicionin VV-LDK mund të arrihet shumë shpejt, duke thënë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përmbyllë më shpejtë procesin e hapur zgjedhor.