Zyrtarët e LDK-së thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt, por ata nuk kanë pranuar të flasin për emrat e mundshëm, të cilët do të kandidojnë për pozitën e të parit të kësaj partie. Dy nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri e Agim Veliu, të cilët shumë herë janë përmendur si emra potencialë, nuk kanë pohuar e as nuk kanë mohuar se do të kandidojnë për kryetar, porse kanë thënë se emrat e kandidatëve do të mësohen vetëm në Kuvend.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ende nuk janë vendosur se cilët do të jenë kandidatët e mundshëm për kryetarë të LDK-së. I pyetur nga gazeta nëse ai do të jetë njëri prej kandidatëve, Veliu ka thënë se një gjë e tillë do të kuptohet vetëm në Kuvend.
“Në Kuvend bëhen kandidaturat dhe ai vendos pastaj. Në Kuvend do ta merrni vesh”, ka deklaruar shkurt ai.
Megjithëkëtë Veliu ka thënë se shumë shpejt do të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor.
“Ne jemi në fund të procesit, fare në fund, janë edhe 2-3 degë pa u përfunduar procesi. Pastaj do të mblidhet Kryesia për të vendosur për datën e mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm”, ka potencuar ai.
Edhe nënkryetari i tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri, ka pohuar se shumë shpejt pritet të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor.
“Ne kemi edhe disa degë për t’i përfunduar, Lipjani, Ferizaj, Vushtrria dhe Dega III në Prishtinë. Janë katër degët e fundit dhe mbyllet procesi si i tillë në të gjitha degët e LDK-së, i cili është përcjellë me 980 kuvende të nëndegëve dhe presim që të zgjidhen 355 delegatë, që janë përfaqësues të zgjedhur politikë të cilët marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit, të këshillit drejtues të LDK-së”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Haziri më tej ka pohuar se gjatë procesit ka pasur disa incidente, porse incidentet në fjalë kanë ardhur nga njerëz dashakëqij.
Ndërkohë gjersa ka folur rreth kandidatëve të mundshëm për kryetar, Haziri ka thënë se ende nuk mund të dihen emrat potencialë që do të garojnë për të parin e partisë, por është shprehur i bindur se LDK-ja është dhe do të mbetet unike.
“Jo ende. Sipas rregullave të brendshme kandidaturat paraqiten para Kuvendit, ai nuk është ftuar ende. Pritet që kryetari në konsultim me Kryesinë ta ftojë Kuvendin. Gara do të jetë demokratike, LDK-ja do të jetë unike dhe ajo do të dalë superunike, duke e marrë një rol si partia e parë në republikë shumë shpejt”, ka theksuar ai.
As Haziri sikurse Veliu nuk ka pranuar të flasë rreth mundësisë për të garuar për lider të LDK-së.
“Unë jam për një marrëveshje politike, e cila LDK-së ia jep fuqinë e partisë së parë dhe e ruan këtë atribut edhe me besim politik. Deri atëherë janë spekulime të gjithë emrat që mund të përmenden, të lakohen nga publiku në Kosovë”, ka potencuar Lutfi Haziri.