Nën udhëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, është mbajtur në vikend takimi me strukturat e partië, përfshirë kryesinë, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë.
Qëllimi i takimeve të ndara, duke respektuar masat anti-COVID-19, ka qenë mobilizimi për fazën e parë të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen me 14 shkurt.
Në të gjitha takimet u konfirmuar fryma e jashtëzakonshme e mobilizimit dhe e unitetit, ku tash e një javë veprimtarët dhe aktivistët e Lidhjes janë duke punuar në terren, në takime të ndara, gjithnjë duke i respektuar masat kundër përhapjes së virusit.
Kryetari i Degës, Lutfi Haziri, tha se mbështetja e gjilanasve për LDK-në, është impresive, duke shtuar se në ditët në vazhdim do të dalin me listën e kandidatëve për deputetë, të cilët do të jenë emra reprezentativë, të cilët do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në mënyrën më të mirë në Kuvendin e Republikës.
“Jemi në fazën finale të përgatitjeve dhe bashkë më strukturat e partisë do t’i nominojmë në ditët në vazhdim kandidatët për deputetë, të cilët do t’i japin vlerë Kuvendit. Lista e LDK-së nga Gjilani do të jetë listë e njerëzve me kredibilitet e integritet të lartë njerëzor e profesional. Tashmë jemi të vendosur dhe që të gjithë pa dyshim do të zgjidhen deputetë”, tha Haziri.
Ndryshe, lista e LDK’së nga Gjilani do të bëhet publike gjatë javës, në konferencën për media.