Në Ditën e Mësuesit, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka shprehur mirënjohjen e tij për rolin jetik të mësuesve në ndërtimin e shoqërisë dhe forcimin e arsimit shqip.
Ai i cilëson mësuesit si “heronjtë e gjallë” që, përmes rezistencës dhe përkushtimit të tyre, kanë qenë jo vetëm edukatorë, por edhe luftëtarë të dijes në kohë të vështira.
Haziri kujton me respekt figurat e shquara të arsimit, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre për brezat e ardhshëm dhe për vetë pavarësinë e Kosovës.
Statusi i plotë:
Mësuesit janë heronjtë tanë të gjallë!
7 Marsi – Rezistenca e mësuesit, si luftëtar i dijes në kohë të vështira, është hapi më i madh i pavarësimit të arsimit shqip, duke e krijuar besimin për pavarësi dhe Republikë.
Por, fatkeqësia e madhe është se ata ishin të përjashtuar edhe nga dialogu social, pasi dhe qeveria i kishte mbyllur dyert për ta.
Në këtë ditë, nuk mund ta harrojmë kryetaren e parë të Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan, mësuesen tashmë të ndjerë, Makfire Vokshi, e cila ishte dhe mbetet mësuese e të gjithëve për udhën e lirisë e pavarësisë.
Sot i kujtojmë edhe Nazmi Musën e Mexhit Hazirin, dhe përmes tyre, nderojmë të gjithë mësuesit e mësueset të cilët nuk janë në mesin tonë. Ata kanë dhënë shumë, kanë sakrifikuar dhe atë jo vetëm për arsimin e Kosovës!