Gjilan, 11 prill 2017 / Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar sot Komisionin e Aksionarëve dhe Bordin për themelimin e ndërmarrjes më të re në Gjilan “Tregu”, në të cilin vendim do të hyj themelimi i Tregut të Gjelbër dhe ndërtimin e tij me të gjitha kushtet dhe standartet moderne, poashtu edhe themelimin e tregjeve të vogla lokale si në lagjen “Dardania”, “Arbëria” dhe në Lagjen e Kishës, sikurse edhe ndërtimin e tregjeve tjera lokale sipas nevojës së themelimit.
Kryetari Haziri, po ashtu, ka bërë të ditur se kjo ndërmarrje do të merret edhe me themelimin e tregut të kafshëve, tregut të veturave, tregjet sezonale, dhe ekspozimit sezonal të prodhimeve vendore si dhe organizimin e tregut të produkteve tjera, që gjithashtu do t’i menagjoj.
“Me këtë ndërmarrje do të themelohen, organizohen dhe menagjohen të gjitha llojet e tregjeve në komunën e Gjilanit. Kjo ndërmarrje tashmë i ka dy aksionarë, pesë anëtarë të përkohshëm të bordit, kryeshefin e përkohshëm dhe drejtorin operacional të përkohshëm. Në këtë fazë ne do të punojmë me “Eko-higjienën”, (e cila deri në këtë fazë e ka menaxhuar tregun e gjelbërt) me të cilën do të gjejmë rrugën më të mirë për t’u ndarë nga ky proces”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Ai ka bërë të ditur se “nga ky vit në Gjilan do të fillojë ndërtimi i ri i tregut të gjelbër, projekt i cili është në përfundim e sipër dhe që do të prezantohet në publik për debat dhe gjithnjë së bashku me tregtarët e tregut të gjelbërt”.
”Ne i kemi siguruar të gjithë tregtarët se edhe në të ardhmen do të punojnë të pavarur, ndërsa do të investojmë, po ashtu, edhe në krijimin e hapësirave për parkingje dhe hapësira të tjera të domosdoshme në hapësirën e tregut, në mënyrë që kjo ndërmarrje të jetë moderne dhe menagjuese e suksesshme e të gjitha llojeve të tregjeve në Gjilan”, ka përfunduar kryetari, Lutfi Haziri.