Komiteti i emergjencave për parandalimin e pandemisë globale kundër Covid-19 në Gjilan, në takimin që mbajti sot, ka vlerësuar gjendjen në 24 orët e fundit dhe në bazë të rezultateve të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, konfirmon vetëm 4 raste pozitive dhe 20 pacient të shëruar plotësisht.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, duke iu referuar statistikave dhe në bazë të gatishmërisë dhe koordinimit të lartë ndërinstitucional, ka theksuar se me disiplinë dhe vendosmëri të përgjithshme në respektimin e rekomandimeve të shtetit, do të arrihet ulja e trajektores me raste pozitive deri në pikën zero.
“Bazuar në statistikat e javëve të fundit shihet një rënie e vazhdueshme e të infektuarve me Covid-19. Në rezultatet e sotme kemi vetëm 88 raste aktive me Covid-19, prej 946 rasteve sa kemi të regjistruara në totalin e përballjes me pandeminë nga 13 marsi. Kështu, raste të shëruara plotësisht janë gjithsej 817, ndërsa në këtë luftë kundër Covid-19, kanë humbur jetën 41 qytetarë. Mostra në pritje janë 42 qytetarë dhe 19 edukatore nga çerdhet private dhe shpresojmë që edhe këto të jenë negative. Nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve në Spitalin Regjional janë gjithsej 26 pacient, të cilët konfirmohen me gjendje stabile dhe me simptoma të lehta”, tha kryetari Haziri.
Haziri ka apeluar te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe veçanërisht te të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit, që vazhdimisht t’i bartin maskat dhe masat tjera mbrojtëse për të qenë larg mundësisë së infektimit.
Gjithashtu edhe nga sektori privat dhe punëtorët shtetror, ai ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse për ta ndihmuar angazhimin e gjerë në eliminim të virusit.