Gjilan, 20 janar 2020 – Me rastin e ndarjes nga jeta të kryetarit të Shoqatës së ish të Burgosurve Politik, Sabit Rexhepi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së tij. Në telegram, thuhet:
“E dashura familje Rexhepi,
Të nderuar anëtarë të Shoqatës së ish të Burgosurve Politik,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit të Shoqatës së ish të Burgosurve Politik, Sabit Rexhepi.
Baca Sabit është simbol i qëndresës, guximit dhe rezistencës kundër regjimit të kohës, i cili, as pas torturave çnjerëzore, nuk u zbraps, nuk u thye dhe nuk u dorëzua kurrë.
Mbi sakrificën e bacës Sabit dhe krejt ish të burgosurve politikë, mbi luftën dhe idealet e tyre, ne
jemi frymëzuar dhe sot po e shijojmë lirinë.
Veprimtari Sabit Rexhepi fizikisht më nuk do të jetë në mesin tonë, por do ta kujtojmë përjetë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhënë çështjes shqiptare të Kosovës, në një kohë të pakohë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Rexhepi, Shoqatës së ish të Burgosurve Politik, shokëve miqve e farefisit.
Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegram.