Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet në shënim të festave të nëntorit, duke respektar masat kundër përhapjes së COVID-19.
Me që viti 2020 iu dedikua figures së heroit Abdullah Tahiri, kryetari i Komunës së Gjilanit me bashkëpunëtorët dhe familjen Tahiri, kanë bërë homazhe tek lapidari i tij, për të vazhduar tek varrezat e dëshmorëve e për të përfunduar tek lapidarët dhe bustet e heronjve: Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Agim Ramadani, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Reshat Ymeri, Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti.
“Uroj 28 Nëntorin, festën e madhe të pavarësisë së shqiptarëve. Në këtë festë ne respektojmë vlerat tona, sakrificën e heronjve e dëshmorëve të kombit, të cilët u kryengritën për liri dhe pavarësi këto 108 vjet, për çlirimin e vendeve tona. Faleminderit NATO, faleminerit BE. Festoni kuq e zi, por me kujdes!”, ka thënë pas homazheve kryetari i Gjilanit, Haziri.
“Ky vit është më ndryshe. Një numër i kryengritësve dhe bartësve të luftës çlirimtare të Kosovës po përballen me drejtësi në Dhomat e Specializuara. Duke besuar në luftën e pastër dhe në kryengritjen e drejtë që është realizuar si mjet i fundit i politikës dhe luftës për çlirim të Kosovës, besoj që në kohën që po e kalojmë, Kosova do të dalë më e fortë, lufta do të dalë me e drejtë dhe njerëzit do të kthehen në familjen dhe atdheun e tyre”, ka shtuar Haziri.
Ne emër të familjes Tahiri, ka folur djali i heroit Abdullah Tahiri, Iliri, i cili e ka falënderuar Komunën e Gjilanit që këtë vit ia dedikoi figurës së kryengritësit të madh për lirinë e shqiptarëve.
“Qysh e tha kryetari, këtë festë po e festojmë pa udhëheqësit e UÇK’së. Uroj që vitin e ardhshëm ta festojmë bashkë me ta. Sa i përket Komunës që i ka kushtuar vitin 2020 babit, për ne si familje është një krenari dhe respekt, por edhe për Gjilanin në përgjithësi. Urime festat e nëntorit”, ka thënë Tahiri.