Kuvendi Komunal i Gjilanit, të hënën, në vazhdim të seancës së javës së kaluar, ka zhvilluar një debat të gjerë për raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor, sikurse edhe për raportin financiar për të njëjtën periudhë si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2017.
Përndryshe, në fillim të kësaj seance, kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini i ka ftuar këshilltarët për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të veprimtarit Adem Demaçi, me ç`rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se, pavarësisht bindjeve të mëhershme politike, që nga e premtja, Demaçi iu takon të gjithë shqiptarëve, si dhe grupit të personaliteteve si Mandela e të tjerë, të cilët me qëndrimet e tyre kanë pasur ndikim në ndryshimin e botës.
Në raportin e tij, kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka paraqitur të arriturat dhe sukseset e kësaj periudhe në të gjithë sektorët, duke konstatuar se në Gjilan janë bërë investime të vrullshme, sidomos në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare dhe të tjera. “Periudha e parë e vitit 2018, ka qenë mjaft dinamike sa i përket realizimit të projekteve dhe zhvillimit të komunës në përgjithësi”, ka thënë Haziri.
Në Administratë, Komuna e Gjilanit vazhdon të jetë kampion sa i përket efikasitetit dhe inovacionit në Kosovë. Nuk ka më pritje të gjata para administratës, sepse shërbimet ofrohen në kohë dhe shpejt.
Për nevoja të shëndetësisë është duke u ndërtuar objekti i ri i QKMF-së, në vlerë 1.5 milion euro. Në aspektin humanitar, Gjilani ka vazhduar me ndërtim të shtëpive për familjet në nevojë, sikurse edhe pagesën e qirasë për 45 familje të tjera, ndërkohë që asistenca sociale është duke vazhduar për të gjitha kategoritë. Kanë filluar punimet edhe në projektin për fëmijët e braktisur, pleqtë, gratë e prekura nga dhuna në familje, që po realizohet në bashkëpunim me shtetin e Kuvajtit. Po ashtu është caktuar edhe lokacioni për varrezat e reja të qytetit në Velekincë.
Në arsim, nxënësit e Gjilanit kanë vazhduar të shkëlqejnë nëpër gara rajonale, republikane e ndërkombëtare, duke sjellë dhjetëra medalje, mirënjohje e çmime kryesore në Gjilan. Përkundër mundësive të kufizuara financiare, është investuar në disa nga këta talente të reja, duke iu ndarë bursa akademike për shkollim të mëtutjeshëm në universitetet dhe kolegjet tona. Në aspektin infrastrukturor, situata është përmirësuar dukshëm. Një çerdhe moderne tashmë është funksionalizuar, shkolla e arteve është në ndërtim e sipër, janë bërë renovime të shumta.
Gjilani ka bërë investime të vrullshme edhe në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare. Janë shtruar ose janë në shtrim e sipër shumica e rrugëve në fshatra dhe në qytet. Gjithashtu është duke u punuar rruga me katër krosi Gjilan-Ferizaj, ndërkohë pritet fillimi i punimeve edhe në rrugën Gjilan-Prishtinë. Mirusha, tashmë po shndërrohet në një qendër rekreacioni për qytetarët, ndërkohë që po punohet në pjesën e mbetur, së bashku me kompleksin e madh të stadiumit. Po punohet shumë për të filluar edhe me projektin e lumit Stanishor, që pretendohet të realizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim.
Falë punës serioze të Drejtorisë së Shërbimeve Publike si dhe Drejtorisë së Planifikimit, Urbanizmit dhe Mjedisit, përveç investimeve kapitale të cekura më lart, janë bërë përgatitjet e duhura dhe janë në proces të finalizimit edhe kontratat për sanimin e ndriçimit publik të qytetit, sinjalistikës, kurse mirëmbajtja verore e rrugëve tashmë ka filluar dhe shpresojmë që me një dinamikë të madhe të punëve të përmbyllet pjesa e parë, duke mos shkaktuar as pengesa apo vonesa për qytetarët.
Përkrahja nuk ka munguar as në sektorin e bujqësisë, qoftë përmes subvencioneve vetanake, qoftë përmes bashkëpunimeve të shumta me organizata ndërkombëtare dhe me Qeverinë e Kosovës, duke i ndihmuar fermerët me pajisje e makineri bujqësore, farë, serra, ndërtimin e rrugëve të arave e tët tjera. Në forma të ndryshme janë ndihmuar mbi 1500 fermerë.
Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit ka përgatitur njoftime për parandalim të inicimit të zjarreve dhe besojmë shumë që kujdesi qytetarë të jetë në nivelin maksimal.
Në sektorin e zhvillimit ekonomik, Gjilani po vazhdon të tërheq biznese të reja, ndërkohë që është hartuar plani për PPP të reja. Me Komisionin Evropian po punohet për tregun e gjelbër, për të krijuar kushte për punë më të mirë.
Sa i përket buxhetit, gjatë vitit 2018, kemi arritur që planifikimin për të hyrat ta ruajmë në nivel të kënaqshëm. Presim që pagesa e tatimit në pronë të shënojë hapa pozitiv, sepse qytetarët po e kuptojnë që taksa është investim kapital. Në kuadër të Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitin 2019 – 2021 janë përcaktuar prioritetet e Komunës në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi dhe mirëqenia, që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Gjilanit.
Ngritje të vëllimit të punës, por që është përballuar me sukses, ka pasur edhe në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë. Janë kryer një sërë procedurash për shpronësime për interesa të përgjithshëm, por edhe janë iniciuar ndërrime të pronave në shërbim të investimit për qytetarin.
Drejtoria e Inspeksionit dhe ajo për Kulturë Rini dhe Sport, kanë marrë statusin e drejtorisë me vendimin e Kuvendit gjatë këtij viti dhe në këtë fazë menjëherë kanë filluar me punë dhe angazhime dhe tashmë kemi detyra të qarta dhe një autoritet në vete për të vepruar në fushën e përgjegjësisë që kanë këto dikaster.
Në prokurim publik janë zhvilluar procedura sipas planifikimit dhe inicimeve të drejtorive komunale.
“Pra, në përgjithësi, 6-mujori i parë e vitit 2018, ka qenë një periudhë dinamike dhe po punojmë bashkërisht që të jemi në hap me realizimin e projekteve dhe zhvillimin e Komunës tonë, në të gjitha sferat”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Pozita, nëpërmjet këshilltarëve të saj, Avdyl Aliu (LDK), Ibish Ibishi (AAK), Fitim Guda dhe të tjerë, i ka dhënë mbështetje raportit, duke e cilësuar atë të saktë dhe real.
Kurse opozita, nëpërmjet shefave të grupeve, Nevzad Isufi (VV), Riza Abdyli (PDK), Mimoza Kadriu (Nisma), raportin e kanë cilësuar sipërfaqësor, të përgjithësuar dhe jo gjithmonë të saktë, sikurse edhe këshilltarët komunalë, Bujar Nevzati, Xhelal Hajrullahu, Arijeta Rexhepi, Anila Tusha, Nehat Osmani, Enver Hajrullahu, Arbëreshë Hyseni dhe të tjerë, të cilët, përgjithësisht kanë thënë se raporti është i mangët.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për punën e kësaj qeverisje, Haziri ka thënë se i kupton qëndrimet e subjekteve politike, por ka rikujtuar se ky është mandati i katërt që qytetarët e Gjilanit ia kanë dhënë atij besimin dhe është shprehur i lumtur që po iu shërben atyre prej 10 vitesh, nga gjithsej 19 vite liri pas luftës.
“Ju e dini se ky qytet, historikisht ka qenë i përjashtuar nga programet zhvillimore, kurse tash, pozita e tij, ka bërë që të jetë më i zhvilluar, më i integruar dhe më shpresëdhënës për të ardhmen”, ka thënë kryetari Haziri, duke konstatuar se dinamika e investimeve kapitale, nuk do të ndalet, sepse janë projekte të buxhetuara.
Sa iu përket borxheve kontigjente, Haziri tha se Komuna e Gjilanit i ka 8.1 milionë euro borxhe, që kryesisht lidhen me shpronësime dhe prona private që janë marrë për interes publik prej 19 vitesh e këndej, ndërkaq 7.2 milionë euro është borxhi i qytetarëve ndaj Komunës, duke paralajmëruar se në shtator do të fillohet grumbullimi i këtyre mjeteve përmes përmbaruesve.
Në lidhje me Zyrën e Prokurimit, Haziri ka thënë se është e vërtetë se kjo është një zyrë me telashe, që janë trashëguar meqë aty ka ngelur vetëm një zyrtare e certifikuar, gjithë të tjerët janë nën aktakuzë dhe aktualisht po punohet me staf të angazhuar profesionalë.
Në pyetjet konkrete të këshilltarëve komunalë, janë përgjigjur drejtorët Selami Xhemajli, Naser Korça, Nevzad Rushiti, Valbona Tahiri, Ramiz Ramadani e Sadudin Berisha.
Raporti i kryetarit është miratuar me votën e dyfishtë të kryesueses së Kuvendit Komunal, ndonëse Haziri ka thënë se raporti nuk i nënshtrohet procedurës së votimit.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal e ka përgëzuar qeverisjen komunale, në krye me Lutfi Hazirin, për punën e bërë në këtë gjashtëmujor, duke u shprehur e bindur se kjo qeverisje do t`i realizojë të gjitha planet dhe projektet e saj, ashtu siç i ka planifikuar.
Përndryshe, opozita (LVV e PDK) e ka mirëpritur debatin edhe për raportin financiar si dhe raportin e auditorit të përgjithshëm për vitin 2017, duke thënë se nga të gjeturat shihet se nuk janë përfillur rekomandimet.
Por, Zijadin Maliqi, drejtor financiar, i cili e ka prezantuar raportin janar-qershor 2018 si dhe i ka komentuar gjetjet e auditorit, ka thënë se ne i kemi pranuar gjetjet e auditorit, duke nënvizuar se sa iu përket pasqyrave financiare, auditori ka konstatuar se ato pasqyrojnë një pamje të drejtë dhe nuk ka bërë asnjë vërejtje.
Përndryshe, Kuvendi ka përkrahur propozimin e Avdyl Aliut (LDK) për alokimin te Drejtoria e Shëndetësisë të shumës së mjeteve prej 68.708 euro, të grumbulluara nga aksioni humanitar për fëmijët me nevoja të veçanta dhe gratë e prekura nga dhuna në familje, pastaj propozimin e Arta Hazirit (AAK) për shtimin e numrit të bursave, varësisht prej mundësive buxhetore të Komunës, sikurse edhe kërkesën e Këshillit lokal të Zhegrës, të cilin e ka paraqitur Shemsedin Elezi, për ndarjen e një parcele prej 108 m/2 për ngritjen e shtatores së dëshmorëve Shaban e Sami Ukshinit si dhe për ndarjen e një shume prej 7.500 euro, si nevojë për mbulimin e shpenzimeve për këtë projekt.