Në Prishtinë nesër do të mbahet marshi mbështetës për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, ky marsh është organizuar nga shoqata ‘Çamëria’.
Këtë marsh po e mbështet edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
“Unë mbështes marshin, dhe apeloj për pjesëmarrjen e të gjithë atyre që besojnë në të drejtën e shqiptarëve të Kosovës Lindore”, tha shkurt Haziri.
Haziri vazhdimisht ka përkrahë idenë e presidentit Thaçi që të ketë korrigjim të kufijve, dhe Lugina t’i bashkohet Kosovës. Ai ka pohuar se korrigjimi i kufijve me Serbinë është një mundësi ideale për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore të Serbisë.Ndërkohë, në njoftimin e bërë rreth marshit mbështetës thuhet se tubimi i shqiptarëve përkrahës të këtij manifestimi paqësori do të bëhet para bibliotekës kombëtare në Prishtinë deri në ora 11:00 prej ku edhe fillon marshimi në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”.