Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e bordit të drejtorëve, shefave të njësive dhe mekanizmave në Komunën e Gjilanit, në raportimin për pesë mujorin e këti viti, ka konfirmuar progres të dukshëm në krahasim me vitet paraprake, duke kërkuar angazhim edhe më të madh të administratës komunale për pritjen më të mirë të mundshme të mërgatës, e cila përkundër mungesës në vitin e pandemisë, kanë kryer për mbi 240 për qind pagesën e tatimit në pronë.
“Prezantimet e drejtorëve konfirmojnë se për 5 muaj të parë të këtij viti është arritur realizimi i planifikimit në një përqindje mbi 45 për qind, një tejkalim i madh është te të hyrat vetanake që shkon në shifrën 240 për qind, për çka falënderoj qytetarët për lojalitetin e treguar dhe mërgatën e cila është përgjigjur financiarisht në kryerjen e obligimeve të tatimit në pronë, përkundër që kanë munguar vitin e kaluar. Ata janë më të sinqertit në shtet. E njëjta ka ndodhur edhe në të hyrat që kanë shënuar në Administratën Tatimore, në faturat e mbeturinave, të ujit, të rrymës e gjithandej. Këto të hyra janë kthyer me investime të shumta në lagje e fshatra të ndryshme dhe projekte të shumta”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.
Gjithashtu, Haziri tha jemi në muajin e çlirimit të Gjilanit dhe Kosovës dhe kalendari kulturor është shumë i gjatë, i cili ka nisur me 1 qershor dhe mbaron me 26 të këtij muaji..
“Sot kishim ceremoninë e diplomimit të maturantëve të dy shkollave dhe mendoj se në lehtësimin e masave duhet të parashihen maturantët, sepse nëse janë të lejuara ekskursionet për punëtorët e shtetit dhe mësimdhënësit, pse një gjë e tillë të mos u lejohet edhe fëmijëve të tyre. Çdo vikend është i mbushur me ekskursione nga Kosova për në Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa maturantëve u cenohet një gjë e tillë. Unë jam me ta dhe duhet të gjendet një formë se si kjo të bëhet”, ka thënë për këtë kryetari Haziri.
Po ashtu, Haziri tha se jemi duke përgatitur pritjen e bashkatdhetarëve tanë që vijnë në familjet e tyre dhe Komuna e Gjilanit do të dyfishojë shërbimet në mënyrë që ata të kryejnë punët në bazë të planit që kanë.
“Do të punohet pa pushim dhe në bazë të vlerësimet edhe do të shtohet orari i punës. Do të punohet për respektim të masave kundër Covid-it që janë në fuqi, sinjalizimit dhe rregullave të trafikut në duke krijuar tolerime në bazë të këtyre masave. Presim që bashkatdhetarët tanë me ardhjen e tyre këtu ta kthejnë Gjilanin me një numër të dyfishuar të qytetarëve, por që janë de fakto dhe real, duke shpresuar që te kalojnë pushimet pa asnjë problem, që nga lëvizja në trafik, në kthimin e dasmave dhe normalitetit e deri në rrugëtimin e tyre për në shtetet ku punojnë. Ky është muaj i gëzimeve dhe si të tillë do ta trajtojë me një kalendar të pritjes sa më të mirë për ta”, ka thënë ai.
“Një hap pozitiv në këto 5 muaj kanë kaluar edhe ndërmarrjet komunale të cilat kanë shënuar përparime të përgjithshme, me përjashtim të ndërmarrjes Tregu, në të cilën është duke u realizuar projekti në vlerë prej rreth 2 milionë euro dhe këtu përfshihen të gjitha tregjet që janë duke u ndërtuar, përfshirë këtu ndërtimin e Tregut të Gjelbër, tregun e zhavorit, të kafshëve dhe plaqkave dhe tregjeve mobile në Kmetoc, Përlepnicë, Dardani, Arbëri, Zhegër etj”, shtoi ai..
Kreu i Gjilanit tha se me ndërtimin e shëtitores sot 40 për qind e qytetarëve të Gjilanit nuk kanë nevojë të përdorin makinat për të dalë në qytet, sepse për 20 minuta përmes shëtitores së qytetit mund ta përshkojnë gjithë qytetin.
“Shumë shpejtë shëtitorja do të vazhdoj të investohet deri në afërsi të ish impiantit. Është përfunduar projekti për rigjenerimin urban dhe planifikimin e zhvillimit të qendrës së qytetit, ku parashihet ndërtimi i administratës komunale, pastaj rrënimit të objektit të ekzekutivit dhe dislokimin e policisë për të ndryshuar përfundimisht pamjen urbane të qytetit”, tha Haziri.
Ai pohoi se vendosja e shtatores së heroit Kadri Zeka, është detyrë dhe duhet të konfirmohet data e inaugurimit të saj që do të caktohet në bashkëpunim me familjen.
Ndërkohë, mirëmbajtja e rrugëve dhe hapësirave të gjelbra është detyrë, e cila ka ndikuar pozitivisht në terren dhe në implementim të planit për investime dhe zgjerim të hapësirave publike. Projektet në infrastrukturë janë duke vazhduar në bashkëpunim edhe me institucionet qeveritare dhe do të jemi kujdestar të implementimin në bazë të dinamikës së paraparë.
Hyrje-daljet e qytetit janë duke u realizuar, tani jemi duke punuar në rrjetin e ujësjellësit që kalon në këto rrugë, gjithashtu rrjetit të kanalizimin në fshatin Shillovë që kalon nëpër këtë rrugë, kështu po punohet edhe në hyrje-daljen për Prishtinë dhe bashkë me ministrinë investimin e rrugës Gjilan – Kllokot”.
“Një lajm i mirë është se raporti i ardhur këtë vit i Auditorit Gjeneral, është më pozitiv se vitin paraprak dhe menjëherë do të punohet në planin e punës për zbatim të rekomandimeve.
Bashkëpunimi me donatorët, ambasadat mike dhe institucionet shtetërore po punojmë dhe jemi bashkëpunues të vazhdueshëm me qëllim që projektet apo shërbimet të jenë gjithnjë e më të mira për qytetarin dhe të ardhmen e Komunës së Gjilanit”, përfundoi kryetari Haziri.