Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë inspektimit të punimeve në pjesën përfundimtare të projektit të lumit Mirusha, ka thënë se me këtë projekt zemrën e qytetit, nga një vend moçali dhe kundërmimi nga ujërat e zeza, po e kthejmë në një shëtitore dhe vend atraktiv për qytetarët dhe sektorin privat.
“Kjo është faza zhvillimore e ndërtimit të lumit Mirusha, në pjesën ku fillon lagja, “Dardania” e deri në rrugën qarkore, ku do të vendosen gypat për ujërat e zëza dhe gypat për ujërat atmosferike. Në të njejtën kohë ne do të punojmë edhe në ndërtimin e plotë të shtratit të lumit, në mënyrë që shëtitorja të shkoj në zhvillim e sipër. Besojmë shumë që problemit më madhor në Gjilan, po i vjen fundi. Jemi në fazën përmbyllëse të këtij projekti”, ka thënë kryetari Haziri.
Ky projekt do të integrohet me projektin e Stadiumit të Qytetit dhe me kampusin e shkollave të mesme. Praktikisht tri projekte të mëdha do të integrohen me njëra-tjetrën.
Ai ka thënë se kjo është dinamikë krejt e re e realizimit të këtij projekti deri në përfundimin e plotë të tij.
“Projekti i Mirushës në pjesën e shëtitores tashmë të përfunduar sa i përket operimit të bizneseve dhe shfrytëzimit të saj nga pronarët dhe qytetarët, kanë kaluar çdo parashikim. Është rritur vlera e pasurisë së paluajtshme e cila është private dhe janë zhvilluar më shumë se 20 biznese në atë pjesë që normnalisht kanë krijuar edhe vende të reja të punës. Kjo na jep sinjalin se me përfundimin e tërësishëm të projektit në këtë pjesë të qytetit do të jetë i koncentruar zhvillim i hovshëm dhe mundësi e madhe për sektorin privat por edhe fluks të madh të qytetarëve në këtë zonë rekreative”, ka përfunduar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, mbykëqyrësi i punimeve Zeqiria Fazliu, ka thënë se punimet po ecin sipas planit dinamik dhe në bazë të kontratës që është e lidhur me autoritetin kontraktues për këtë projekt.
“Janë edhe afro një kilometër nga furra “Aroma” e deri te ura në rrugën qarkore, ku edhe përfundon ky ptojekt. Punët janë duke shkuar mjaftë mirë dhe në kuadër të kontratës”, ka potencuar Fazliu.