Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Syla me rastin e ndarjes nga jeta të ish-drejtorit për Punë Sociale dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Riza Syla.
“E nderuara familje Syla,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Gjilan dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Riza Syla.
Riza Syla nuk është më në mesin tonë, por do ta kujtojmë përgjithmonë si njeriun i cili asnjëherë nuk u gjunjëzua, por e kundërshtoi deri në fund regjimin serb, duke mos u pajtuar me padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve, anipse e pësoi me burgim dhe me tortura.
Riza Syla, pas luftës u angazhua për mirëqenien e qytetarëve, duke qenë shembulli më i mirë i një punëtori të jashtëzakonshëm.
Për këtë aspekt, jam krenar që e pata shpall si punëtorin e vitit 2016/2017 në mesin e mbi 300 shërbyesve të shtetit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Syla, shokëve, miqëve dhe bashkëveprimtarëve.
Lamturmirë, miku im!”, thuhet në telegram.