Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun, për përfshirjen e LDK-së në dialog, si dhje është përgjigjur në akuzat e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli se LDK është bërë kopje e Vetëvendosjes.
Gjithashtu Haziri i është përgjigjur kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili akuzoi LDK-në se flet me dy zëra sa i përket qëndrimit zyrtar për korrigjimin e kufijve.
Haziri në intervistë, duke folur për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në procesin e dialogut, u shpreh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi sipas tij pushteti e ka zgjedhur ofertën e PSD-së.
Nënkryetari i LDK-së, theksoi se deputetët e kësaj partie “nuk janë as figura dhe as numra”, duke insistuar se dialogu është e vetmja rrugë për marrëveshje me Serbinë.
“Për LDK-në platforma politike ka qenë në tavolinë, ndërmjet LDK-së dhe PSD-së ata e kanë zgjedhur PSD-në. Nuk ka pasur asnjë lloj përpjekje për përfshirje në dialog, por janë marrë me kalkulime numrash. Deputetët tanë nuk janë as numra e as figura. Natyrisht që ne e kemi dialogun si instrument të vetëm. Kemi ofruar, por platforma jonë nuk është marrë në konsiderim”, u shpreh Lutfi Haziri.
Ekipin negociator të dialogut, Haziri e cilësoi si “ekipe të substrukturave”.
Ai u shpreh se LDK-ja do të vazhdojë të insistojë në krijimin e një uniteti politik, në lidhje me procesin e dialogut.
“Ne nuk do të jemi pjesë e këtyre substrukturave, por besojmë në përfaqësim institucional dhe marrëveshje politike. Ajo që ne e kemi konfirmu është se do ta ruajmë patneritetin me Amerikën, raportet e veçanta nuk guxojmë t’i dëmtojmë. Do të punojmë që uniteti i munguar të ndërtohet me çdo kusht”, u shpreh nënkryetari i LDK-së.
Haziri foli edhe për letrën që presidenti Trump, në të cilën kërkoi një marrëveshje finale me Serbinë.
Sipas tij, kjo letër e dëshmon që presidenti Thaçi do të jetë udhëheqës i dialogut, dhe fazës finale të këtij procesi.
“Letrat e kanë përfaqësuar formatin, që i bie se presidenti është përfaqësuesi i vetëm i dialogut. Pjesa tjetër, janë probleme të brendshme që zgjidhen me marrëveshje politike. Si partia më e madhe në vend ne kemi miratu një dokument që është orientimi politik për dialogun, dhe duhet të merret seriozisht nga partitë në pushtet”, deklaroi Lutfi Haziri.