Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar të premten se i kanë ndërmarrë masat shtesë për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Pas fillimit të rritjes së rasteve, ai ka apeluar qytetarët që t’i aplikojnë masat anti-COVID19 dhe të mos e neglizhojnë virusin.
“Ju lus që të silleni me përgjegjshmëri, për ta ruajtur vetën, familjen, lagjen e qytetin tuaj. Në të kundërtën virusi mund t’ua marrë jetën. Ne po e shohim trendin si po shkon në shtetet fqinje dhe në krejt Europën, e që është shumë më keq se ne. Me lojalitet mund ta parandalojmë që të mos eskalojë tek ne”, ka thënë Haziri, teksa ka njoftuar se janë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet qendrore në këtë aspekt.
Këto komente, kreu i Gjilanit i bëri në takimin e Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, ku është bërë vlerësimi i përgjithshëm.
Ndërkohë, gjendja e përgjithshme e përballjes me pandeminë në Gjilan është kjo: 1101 të infektuar në total, 986 të shëruar, 47 të vdekur, 75 raste aktive, 15 pacientë janë duke u hospitalizuar, derisa mostra në pritje për rezultat janë 92.