Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtuese rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për 24 orë do ta formojnë Qeverinë e re, të cilën pritet ta drejtojë kjo parti.
Kryetari i Gjilanit ka shtuar megjithatë se partia e tij do ta respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Çfarëdo vendimi që të sjellë Gjykata Kushtetuese, ne e respektojmë. Gjithçka është në pritje dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtën atij ose atyre ta bëjnë Qeverinë dhe institucionet legjitime, e pastaj kjo çështje është procedurale”, ka thënë ai.
Sipas tij, kurdo që gjykata ta sjellë vendimin, “24 orë janë të mjaftueshme që të kemi institucione të reja ekzekutive”.
Haziri ka komentuar edhe punën 100-ditëshe të Qeverisë Kurti. Sipas tij, përveç largimeve, shkarkimeve dhe emërimeve politike, veprime tjera nuk ka ndërmarre kjo Qeveri, raporton EO.
“Do të mbahet mend si qeveri e cila nuk ka arritur të realizojë 100-ditëshin si duhet, por detyrën kryesore e kanë pasur pandeminë”, ka thënë ai.
Sa i përket menaxhimit të pandemisë, Haziri ka thënë se përkundër rritjes së numrit të të infektuarve, ende nuk ka arsye për vënien në karantinë të qytetit. Ai ka treguar se janë duke pritur rezultatet e 63 rasteve të testuara.
“Ende nuk arsye për karantinim edhe pse janë disa arsye që nuk e lejojnë, mirëpo nëse ka nevojë duhet. Deri tash të gjitha rastet janë përballuar suksesshëm sepse burimi ka ardhur prej institucioneve. Në këtë rast ka ardhur nga një klinikë private”, ka thënë ai.