Numri dy i LDK-së ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të marrë pjesë në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje meqë “nuk do t’ia bëjnë numrat”.
Lutfi Haziri në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse LDK del në protesta atëherë do t’i organizojë vetë.
“Kanë mbetur pa njerëz tash, LDK me dalë me mbledh njerëz në rrugë? Nuk jemi mekanizëm që grumbullojmë njerëz me dalë me fol ata që kanë qejf me dalë m’i fol me megafon popullatës. Nëse duhet me organizu protesta, na kemi me shqyrtuar vetë me organizuar protesta por mandej na e vendosim mënyrën e organizimit, slloganet dhe fjalorin që përdoret në fjalimet tona”, ka thënë ai.
“Nuk u bashkëngjitmi partive që kanë gjuajt institucione, kanë djeg institucione duke marrë parasysh edhe kryeministrin e LDK-së dhe qeverinë e LDK-së, familjen e tij dhe gjithçka për ta rrëzuar atë qeverisje”.
Haziri akuzon Vetëvendosjen se bashkëpunoi me PDK-në dhe Listën Serbe për me rrëzuar LDK-në.
“PDK, Vetëvendosje dhe Lista Serbe janë trekëndëshi i bashkëpunimit edhe me protesta, edhe me dhunë, edhe me mocion me rrëzuar qeverinë e LDK-së”.
Haziri i gatshëm të kandidojë për kryetar të LDK-së
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në emisionin “Rubikon” të KTV-së, nuk ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për kryetar të partisë në zgjedhjet e brendshme që mbahen në muajin maj të vitit 2019.
“Është çështje e rrethanave politike dhe ambientit politik që krijohet. Unë i takoj një gjenerate të re në moshë që kam hy në politikë dhe që kam qenë pjesë e të gjitha proceseve politike. Kam pasur edhe procese të rënda, jo vetëm të lehta”, ka thënë veç të tjerash Haziri.
Haziri u kundërpërgjigjet akademikëve Hivzi Islami e Arsim Ejupi
20:35 – Akademikët Hivzi Islami e Arsim Ejupi në studimin e tyre të publikuar së fundmi për kufijtë e Kosovës kanë theksuar se është “trishtuese të preken kufijtë ekzistues”. Ata madje në një shkrim të publikuar për këtë çështje kundërshtojnë edhe qëndrimet e Lutfi Hazirit.
Akademikët nënvizojnë se “korrigjimi apo rirregullimi i territorit mes Kosovës e Serbisë e kthejnë Kosovën në fund të viteve ’40 kur me Kushtetutën e Republikës Popullore të Serbisë të 17 janarit ’47 dhe në mbështetje të ligjeve për ndarjen administrative për ndarjen administrative territoriale të viteve ’47 – ’50, Serbia shtatë fshatra të Karadakut të Preshevës ja barti rrethit të Preshevës”.
I pyetur për këtë, Haziri në Rubikon të KTV-së ka thënë se filli i problemit qëndron te bërja e analizës në kohën kur Kosova ishte pjesë e Serbisë.
“Bëjnë studime kur Kosova ka qenë pjesë e Serbisë pa kurrfarë autonomie. Në kohën kur territoret shqiptare njëjtë si Mitrovica e Gjilani ashtu edhe Presheva janë trajtuar territore të Serbisë. është paragjykuar vilajeti i Kosovës. Ata kanë bërë vija administrative të komunave të asaj kohë që Kosovën e kanë ndryshuar për motive demografike, nuk kanë treguar balancin demografik, i cili ka qenë i përafërt mes Kosovës e Serbisë”, ka shpjeguar Haziri.
“E kanë marrë vetëm parimin demografik, deri në ’74-n në Jugosllavi ka pasur ndryshime administrative territoriale, edhe federata e edhe republika e Serbisë ka bërë ndryshime të vazhdueshme”, vazhdoi tutje ai.
“Deri në vitin 1974 Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë trajtuar si qytete me të drejta dhe kufizime të njëjta që kanë pasur shqiptarët në Gjilan, Mitrovicë, Pejë, kudo që kanë jetuar”.
Haziri tregon qëndrimin e LDK-së pas vizitës së përfaqësuesve të Luginës
20: 27 – Vizita e përfaqësuesve politikë të Luginës nuk ka bërë që Lidhja Demokratike të ndryshoj qëndrim karshi idesë për ndryshim apo korrigjim të kufijve.
Ndonëse ka bindje tjera personale, Lutfi Haziri, nënkryetar i këtij subjekti, ka thënë në Rubikon të KTV-së që qëndrimi i LDK-së mbetet po i njëjti – nuk e përkrahin idenë e presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh.
“Qëndrimi i kryetarit të LDK-së është që do të diskutohet pasi që dje ka taku një pjesë të delegacionit të shqiptarëve të Preshevës e Bujanocit. Do të merret parasysh por asnjëherë duke e paragjykuar një ndryshim të pozicionit politik sa i përket kësaj”, ka thënë Haziri.
“Në parim ne e mbështesim, jo vetëm prej vitit 2013 por prej fillimit vullnetin politik të shqiptarëve të shprehur me referendum por në këto rrethana politike Kosova duhet m’i përmbush obligimet e brendshme që i ka”, shtoi tutje ai.
Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare në Kuvend i quajti ditë të zeza seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës.
“Kosova është e ndarë, e përçarë, më keq prej vitit 2002 nuk ka qenë. është një ndarje shumë e madhe politike ku edhe Kuvendi i Republikës po provon me punu me dy seanca. Ndarje më të rëndë se me punu me dy seanca ndarazi, pozita vec dhe opozita vec në politikë dhe demokraci nuk ka, kjo është shumë e dhimbshme”, shtoi tutje Haziri.
Ai përmendi përfaqësimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel dhe vizitën e presidentit serb në Kosovë, të cilat sipas tij, janë dy shembuj që tregojnë pozitën e dobët të vendin dhe mungesën e unitetit.
“Delegacioni ynë do të jetë politikisht shumë i dobët dhe qeveria e Serbisë do ta maksimalizojë kërkesën e vetë, do të sillet sikur u soll me 7 shtator dhe me vizitën në Republikës e Kosovës”, deklaroi Haziri.
Haziri: Krerët e Kosovës nuk bën asgjë për Rezolutën e Luginës të miratuar në vitin 2013
Tash kur kërkohet një rezolutë tjetër nga përfaqësuesit politik të Luginës, Lutfi Haziri në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka kujtuar se një rezolutë për Luginën është votuar në Kuvendin e Kosovës qysh në vitin 2013, por kjo rezolutë, sipas tij, nuk është institucionalizuar kurrë.
“Ka qenë dokumenti i parë të cilin Kuvendi jonë e ka miratuar por fatkeqësia është që prej qershorit 2013 asnjë veprim institucional në përputhje me këtë Rezolutë nuk ka ndërmarrë as presidenti, as kryetari i Kuvendit e as qeveritë e Kosovës”, ka thënë Haziri.
“Aty e kemi përmbledhur bazën ligjore dhe politike bazuar në referendumin e mbajtur atje, kemi përmbledh reciprocitetin si parim në negociata nëse duhet në bisedimet e Brukselit dhe të drejtat e tyre civile në Kosovë”, shpjegoi ai.
Haziri theksoi se institucionet dhe qeveria e Kosovës mund të mblidhet menjëherë dhe të fillojë të marrë vendime e t’i zbatojë të drejtat e tyre.
“Kanë të bëjnë me të shtetësinë e tyre dhe lejeqëndrimin”, përfundoi ai.