Gjilani është nën masa ndëshkuese dhe kufizuese nga Qeveria e Kosovës, për shkak të moszbatimit të ligjit dhe mosarritjes së standardeve të qeverisjes lokale, pasi raporti i auditorit të pavarur e ka kategorizuar këtë komunë me probleme serioze, sikurse edhe për shkak të dështimit frapant në raportin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies.
Për shkak të këtyre problemeve, Gjilani është përjashtuar nga fondet për bashkëpunim ndërkufitar, ndërkohë që kemi qenë komunë lidere për 7 vjet radhazi sa i përkët përfitimit të dhjetëra programeve multi-milionëshe të bujqësië, turizmit rural, agro-biznesit dhe aktiviteteve të përmirësimit të teknologjisë së kompanive private.
Kjo komunë po përballet me shkeljen e madhe të ligjit të fundit në fuqi, me mbi 100 kontrata mbi vepër për militantët, ndërsa problemi më serioz që po përballet Gjilani është Plani Zhvillimor Komunal dhe mungesa e angazhimit në zonim, që është shkelje e rëndë ligjore. Në Gjilan ka humbur kontrolli në zhvillim urban, ndërkaq ndërtimet pa leje kanë eskaluar.
Përpos tjerash, ajo që duhet të hetohet nga organet e drejtësisë janë ndërhyrjet në dosje në tender për Stadiumit të Qytetit, kamerat janë fikur dhe edhe pas një muaji, nuk është bërë shpallja e fituesit. Ky është abuzim dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.