Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar pas përurimit të rrugës së re Gjilan-Bujanoc, e cila ishte iniciuar gjatë mandatit të tij.
Përmes një statusi në Facebook, Haziri ka reaguar ashpër, duke theksuar se gjilanasit dhe Anamorava tashmë janë kryengritur kundër qeverisjes së VV-së, pasi nuk mund të tolerojnë keqqeverisjen, korrupsionin masiv dhe nepotizmin e paparë në punësim.
Statusi i plotë:
Këta veç marre s’kanë, mund t’i vononi ‘projektet e Lutës’ por kurrë s’mund t’i ndalni!
Eksponentë të qeverisë Kurti, të cilët në formë ‘bedelësh’ e udhëheqin Gjilanin, për faktin se kjo komunë s’ka kryetar, pas tri vitesh paskan përuruar vazhdimin e rrugës hyrëse e dalëse Gjilan-Bujanoc, e cila do të duhej të përfundonte në vitin 2022.
Këtë e dhjetëra projekte kapitale i bllokuan për tri vite sepse u referohen si ‘Projekte të Lutës’. Kjo vonesë më shumë se dy vjeçare u shkaktoi dëme të mëdha qytetarëve e bizneseve lokale, duke ua pamundësuar operimin e suksesshëm.
Kjo garniturë e VV-së veç marre s’kanë, por po u vjen fundi, si në nivel lokal, e po ashtu edhe në nivel qendror. Gjilanasit e Anamorava tashmë janë kryengritur kundër qeverisë së VV-së sepse nuk mund t’ua falin keqqeverisjen, korrupsionin masiv e nepotizmin e paparë në punësim.
Ju kemi thënë, mund t’i vononi ‘projektet e Lutës’ por kurrë s’mund t’i ndalni këto projekte zhvillimore në qytetin e demokracisë!