Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka postuar një fotografi nga takimi që kishte ndodhur kohë më parë në mes përfaqësuesve të LDK-së përfshirë kryetarin e kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe përfaqësueve të Luginës së Preshevës.
Haziri ka shkruar të hënën në Facebook se “Kurti po krekoset për mbështetje financiare ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Por Haziri thotë se është pikërisht Kurti që “ka përçarë politikanët e Luginës”.
”Së pari, nuk është çështje e ruajtes se identitetit kulturor e kombëtar, por vullneti i shprehur me referendum nga shumica absolute këtu e 30 vjet më parë. E dyta, ndihma më e madhe ndaj tyre është duke mos i përçarë, për duke ua respektuar vullnetin e tyre. E treta, prej këtyre mjeteve financiare, sa kanë me shku për lobime jashtë tyre?”, ka shkruar Haziri.
Më tutje, Haziri ka vazhduar edhe për duke folur për çështjen e dialogut.
“E kjo puna e Elektroserverit, a është zbatim i marrëveshjes së shkurtit Kurti-Vuçiq 2023?! Ndërkaq, për fund, Petkoviç po bisedon sot në Bruksel për implementimin e Zajednicës, a merreni me mend, dy ministra të Qeverisë Kurti nënshkruajnë marrëveshje me shefin e hekurudhave të Kosovës. Urime qarku i mbyllur i marrëveshjeve”, ka thënë Haziri.