Mbledhja e Bordit të drejtorëve e mbajtur sot nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, temë kryesore kishte raportin e Auditorit të Përgjithshëm, përgatitjet për Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe zbatimin e detyrave në bazë të planit të punës së drejtorive komunale.
Në fjalën e tij në këtë takim, kryetari Haziri ka kërkuar angazhimin maksimal në të gjithë sektorët, konform rekomandimeve të kërkuara nga auditori, që nga riorganizimi i stafit e deri te kontrolli i përgjithshëm financiar, të cilat duhet të parashihen në planin e implementimit të rekomandimeve, që do të diskutohet në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës në fund të këtij muaji.
“Plani për implementimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, duhet të përfshij ndryshimet e stafit në bazë të ligjit për të gjithë sektorët që janë dhënë rekomandime. Kjo fazë para seancës kërkon nga të gjithë drejtorët të punojnë në planin e punës bazuar në atë që ka rekomanduar auditori. Vlerësimi është më i miri deri më tani për Gjilanin dhe thirrje për ne, që edhe më tutje të jemi në nivelin më të lartë të detyrës”, ka thënë ai në fjalën e tij.
Më tej për planifikimin afatmesëm buxhetor dhe detyrat e punës, ka kërkuar nga drejtorët që me kujdes të shohin programet dhe projektet dhe të ofrohet planifikim i qartë i punës në bazë të prioriteteve dhe nevojave të përgjithshme.
“Korniza Afatmesme Buxhetore përkundër paralajmërimeve të qeverisë për shkurtime buxhetore për shkak të pandemisë globale, duhet të organizohet në bazë të programit të qartë me interes të përgjithshëm për qytetar dhe njëkohësisht programet financiare dhe projektet të ndërtohen në atë mënyrë që të respektohen periudha afatmesme dhe afatgjate buxhetore. Gjithashtu në këtë rrafsh duhet të kemi parasyshë, bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe me donatorët e konfirmuar tashmë që edhe ato të jenë pjesë e planifikimit në këtë dokument” theksoi në fjalën e tij, kryetari Lutfi Haziri.
Drejtorët e drejtorive komunale kanë dhënë në pika të shkurtëra detajet e punës që kanë bërë në këtë faze, që nga arsimi dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, e deri te projektet në infrastrukturë publike, zhvillim ekonomiok, në fushën e bujqësisë, planifikimit urban, të hyrave buxhetore, aktivitetet në kulture, rini dhe sport, dhe përkushtimit për ruajtjen e shëndetit publik, që është duke dhënë Komuna e Gjilanit së bashku me institucionet tjera në kuadër të Komitetit të Emergjencave për parandalimin e pandemisë globale Covid-19.