Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se në përfundim të bisedimeve nuk do të ketë kompromise të mëdha nga ana e Kosovës.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se derisa Amerika zgjidhi problemin e Afganistanit, solli marrëveshje Izrael-Palestinë synon të arrijë edhe sukses në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai tha se Serbia ka “lutje të madhe dhe të përditshme që të dështojë procesin e dialogut”.
“Ata janë duke investuar që të dështojnë procesin dhe janë duke luajtur në dy binarë. Në njërin binarë janë të gatshëm të tregojnë racionalitet dhe gatishmëri dhe në anën tjetër lutën që të bëjmë ne gabime që të dështojë procesi”.
Haziri thotë se politika e Serbisë me dy binare në Evropë ka funksionuar por sipas tij me Amerikën nuk iu shkon.
Nënkryetari i LDK-së thotë se Kosova nuk ka nevojë të ketë frikë nga dialogu sepse nuk do të ketë kompromise të dhimbshme për të.
Ai ka dhënë se ky proces do të përmbyllet dhe në të do të marrin pjesë të gjithë aktorët politikë vendorë.
“Por ne ende nuk kemi hyrë në proces. Kjo është vetëm nxemje”.
Haziri thotë se qëllimi kryesor i Serbisë është që të mos del fajtore nga lufta e Kosovës.
“Në të gjitha luftërat Serbia ka dalë fajtore dhe ka kërkuar falje. Ish-presidenti i Serbisë , Tadiq u ka kërkuar falje kroatëve dhe aty ka ndodhur pajtimi”.
I dyti i LDK-së thotë se Serbia luftën me Kosovën po tenton ta paraqesë si problem të brendshëm për dallim nga luftërat tjera.
“Normalisht se kërkesat e Serbisë në tavolinë do të jenë të mëdha dhe të ashpra, por nuk besoj se fuqitë e mëdha do t’i marrin parasysh ato”, tha ndër tjera Lutfi Haziri./Telegrafi/