Nënkryetari i LDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit.
Në një reagim të publikuar, Haziri thekson se megjithëse ishte kuorum dhe të pranishëm 100 deputetë, seanca u ndërpre në mënyrë të paautorizuar nga përfaqësuesi i LVV-së, duke shkelur kështu Rregulloren e Kuvendit.
Statusi i plotë:
Sërish Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit.
Pati kuorum, prezentë ishin 100 deputetë. Deputetët e LDK-së ishin në sallë. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, deputet nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit, duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë.
Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin faktik të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të reja.
Republika, mbi të gjitha!