Nënkryetari i LDK-së¸Lutfi Haziri, deklaron se shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, varet se në çka janë dakorduar kryeministri Albin Kurti dhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, në takimin që kanë pasur.
‘’Varet krejt nga ajo çka janë dakordu Kurti ne emër të shumicës parlamentare dhe Krasniqi si pjesë e opozitës. A është përfshi Kodi Civil, për miratim kjo është çështje që mund të çojë drejt shpërndarjes së Kuvendit, por nuk pres që pa kalimin e Kodit Civil, nuk mund të ndodh shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë’’ deklaron Haziri.
Haziri, beson se pjesë e takimit mes Krasniqit e Kurtit, ka qenë edhe diskutimi për Kodin Civil
‘’Unë besoj se pjesë e kësaj është edhe Kodi Civil’’ potencon ai.
Nënkryetari i LDK-së, thotë për FrontOnline se kryeministri Kurti ka humbur ndikimin tek grupi i tij parlamentar dhe kjo është më shumë menaxhim i situatave dhe lojë fjalësh nga shumica parlamentare.
‘’Nëse nuk ndodh javën tjetër shpërndarja, atëherë Kurti e ka humbë mundësinë me menaxhu shumicën parlamentare, ai nuk e ka në menaxhim grupin e vet parlamentar dhe kjo ishte fakti se Kurti pas takimit me Krasniqin ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrat e tij, por është çështje e tyre. Por kjo dëshmon se Kurti nuk e ka më shumicën dhe i duhet një parti si PDK për me mujt me zhvillu procesin. Detyrimisht po shihet se vetë nevoja për me i menaxhua disa marrëveshje, dëshmon se Kurti ka marrëdhënie të kushtëzuar me partitë opozitare’’ shprehet Haziri.
Sipas tij VV dhe PDK me votat e pakicave mund ta shpërbëjnë Kuvendin.
‘’Është më shumë menaxhim i situatave dhe lojë me fjalë sepse shumica parlamentare edhe PDK-ja, me votat e pakicave mund ta shkaktojnë shpërndarjen e Kuvendit në çdo kohë’’deklaron Haziri. /Frontonline