Kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri, ishte i ftuar sonte në emisionin Politiko, ku ndër të tjera foli edhe për ftesën e përsëritur të Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion zgjedhor.
Haziri tha se LDK ka pranuar dy oferta nga VV-ja dhe se ato janë vlerësuar dhe trajtuar me seriozitet nga strukturat e partisë. Megjithatë, sipas tij, në momentin kur është diskutuar dhe marrë vendimi, mungesa e besimit politik ka qenë arsyeja kryesore pse nuk është parë rrugë për bashkëpunim.
“LDK-së i kanë ardhur dy oferta, ne i kemi vlerësuar dhe i kemi trajtuar seriozisht. Në momentin që është diskutuar dhe është vendosur, për shkak të mosbesimit politik, nuk kemi parë rrugë për bashkëpunim. Kjo ka qenë përgjigjja e Abdixhikut, asgjë më tepër. Nuk ka pasur refuzim apo injorim të letrës”, u shpreh Haziri.
Ai theksoi se LDK nuk ka vija të kuqe ndaj VV-së, por sipas tij ekziston një “handikap politik” që e ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje në këtë fazë.

