Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për raportet mes institucioneve të vendit, duke theksuar se Kuvendi është organi më i lartë kushtetues dhe se askush nuk mund të ndërhyjë në sovranitetin e tij.
“Kuvendi zgjedh presidentë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Qeveri. Të tjerët duhet t’i subordinohen Kuvendit të Republikës, dhe jo e kundërta”, ka shkruar Haziri.
Ai ka cilësuar si të paprecedentë sulmin e adresuar Gjykatës Kushtetuese para presidentes, duke shtuar se kjo ka hapur rrugë për sulme të tjera ndaj gjyqtarëve, të cilët sipas tij janë autoritete të zgjedhura me mandat e procedurë të njëjtë nga Kuvendi.
Sipas Hazirit, presidentja Vjosa Osmani ka premtuar se do të jetë gardiane e pakompromis e Kushtetutës, por në praktikë ka qenë me “duar të lidhura”.
“Republika, mbi të gjithë!”, ka përfunduar Haziri.
Postimi i plotë:
Askush s’ka të drejt të ndërhyjë në sovranitetin e Kuvendit të Republikës
Ne jemi organi më i lartë kushtetues dhe ne zgjedhim Presdientë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Qeveri. Të tjerët duhet t’i subordinohen Kuvendit të Repbulikës, dhe jo e kundërta.
Sulmi që i është adresuar Gjykatës Kushtetuese para presidentes ka qenë i paprecedentë sepse tash ka hapur hapësirë të tjerëve që t’i sulmojnë gjykatësit e tjerë me mbiemra të përvecëm, të cilët janë autoritete të zgjedhura nga Kuvendi i Republikës me procedurë të njëjtë, me mandat të njëjtë.
Unë vazhdoj me besu që presidentja Osmani në këtë rrugë politike ka qenë me duar të lidhura, pavarësisht se ka premtuar që ka me qenë gardiane e pakompromis të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Republika, mbi të gjithë!