Kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame në këtë qytet, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit.
Me këtë rast, Haziri përcolli një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë, duke vlerësuar sakrificën, përkushtimin dhe ruajtjen e vlerave shpirtërore gjatë këtij muaji të shenjtë.
“Sakrifica dhe ruajtja e parimeve të muajit të shenjtë të Ramazanit, si dhe përkushtimi e dashnia për familjen, Zotin dhe atdheun, na bëjnë që në këtë ditë të Fitër Bajramit t’ju uroj nga zemra,” u shpreh ai.
Ai theksoi se kjo festë vjen pas një periudhe reflektimi të thellë shpirtëror, përmes agjërimit, lutjeve dhe sakrificës, duke kujtuar rëndësinë e solidaritetit me ata që janë në nevojë.
“Kjo festë erdhi pas një muaji të agjërimit, përkushtimit, duave e sakrificës përmes urisë, e mbi të gjitha, për t’u barazuar me ata që nuk e kanë sofrën e mbushur,” theksoi Haziri.
Në përfundim, ai uroi që sakrifica e besimtarëve të jetë pranuar, duke dëshiruar shëndet dhe mirësi për çdo familje.
“Zoti na e pranoftë agjërimin. Shëndet e mirësi për çdo familje. Urime Fitër Bajrami!”

