Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, përfaqëësuesit e shoqatave që merren me trajtimin e personave me nevoja të veçanta dhe ata të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka vizituar punimet në ndërtimin e lagjes së re për fëmijët jetim, nënat dhe pleqtë e pambrojtur, e cila ka filluar së ndërtuari me donacion të Kuvajtit në vlerë prej 2 milionë dollarësh.
“Dy objektet e para janë duke u ndërtuar, ndërsa do të ndërtohen 11 objekteve të shtrira me infrastrukturë rekreative, profesionale, duke përfshirë edhe shkollimin për fëmijët me nevoja të veçanta dhe jetimët në mënyrë që të intergohen në një lagje. Shpresojmë se në një afat rekord do të përfundoj ky projekt”, ka thënë kryetari Haziri.
“Për herë të parë në Republikë dhe regjion po i japim zgjidhje të përhershme të gjitha kategorive. Kjo lagje do ta ketë stafin professional, mjek, mësues dhe mbi të gjitha do të ketë ambient familjar për të jetuar përkundër vështirësive që i kanë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Menaxheri i projektit, Samir Salihu, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për mbështetjen e madhe, duke shtuar se ndihet krenar që po i krijohen kushte për njerëzit fëmijët, nënat dhe pleqtë e pambrojtur.
Drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka thënë se obligimet si Komunë janë përmbushur në mënyrën më të mirë, duke përshirë ndarjen e parcelës së tokës në sipërfaqe prej 3.5 hektarësh dhe pajisjes së investitorit me leje.