Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune të rinjtë e Gjilanit, që janë përfaqësues të organizatave në KVRL, të cilët kanë paraqitur shqetësimet e tyre të ndikimit negativ që kishte pandemia në aktivitetet rinore dhe zhvillimin e këtij sektori.
Kryetari Haziri, ka vlerësuar lartë rolin e rinisë, e cila vazhdimisht ka qenë e angazhuar në fushatat sensibilizuese anti-covid, duke i dalë kështu në krah institucioneve lokale për të kaluar këtë gjendje të rëndë e cila ka shkaktuar regres të madh në të gjithë sektorët e jetës.
Haziri, ka kërkuar nga përfaqësuesit e KVRL’së që të jenë më konkurrues me projekte, në organizatat vendore dhe ndërkombëtare.
“Jam falënderues për angazhimin e vazhdueshëm të rinisë gjilanase dhe organizatave rinore në përgjithësi që kanë qenë vazhdimisht mbështetëse të institucioneve komunale dhe atyre shëndetësore, përmes kampanjave sensibilizuese për qytetarët që të mbrohemi dhe të kalojmë gjendjen e rëndë të përballjes me pandeminë globale Covid-19. Sikur gjithmonë, Komuna e Gjilanit do të jetë mbështetëse e çështjeve rinore dhe do t’i trajtojë me prioritetin më të madh nismat dhe programet që kanë target rininë dhe interesin e përgjithshëm”, ka thënë kryetari Haziri.
E nga ana e tij Genc Mustafa, zyrtar për rini, ka theksuar se kryetarin Haziri e kishin një shtyllë të fuqishme në mënyrë permanente në mbështetje të të rinjve.
Në emër të KVRL’së, ka folur kryetari i saj Mehmet Zylfiu, i cili e ka falënderuar Komunën e Gjilanit për mbështetjen e vazhdueshme, duke shpresuar në mbështeje edhe në vazhdim.