Kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër qeverisjen komunale të udhëhequr nga Vetëvendosje, duke e cilësuar si një mandat të humbur për qytetarët dhe duke thënë se Gjilani është shndërruar në një “shitore të thyer”.
Në një konferencë për media, Haziri theksoi se pavarësisht situatës, LDK dhe opozita dëshmuan konstruktivitet duke miratuar buxhetin për qytetarët, duke e vënë interesin e Gjilanit mbi atë partiak.
Ai gjithashtu njoftoi për përgatitjet e 35-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Gjilan, si dhe kërkoi nga ekzekutivi komunal që buxheti të implementohet në tërësi dhe jo në mënyrë selektive.
Statusi i plotë:
VV Gjilanin e shndërroi në shitore të thyer, ne e dëshmuam konstruktivitetin sepse e duam qytetin më shumë se partinë
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, z. Lutfi Haziri, në konferencën për media të mbrëmjes, ka paraqitur qëndrimet e partisë përkitazi me zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal.
LDK në Gjilan ka filluar me procesin e analizës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i falënderuar strukturat e partisë, komisionerët e vëzhguesit, duke qenë se jemi në fazën e tretë të procesit zgjedhor, ku pritet çertifikimi i tyre.
Jemi falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë punuar pa u kursyer, në mënyrë që LDK ta kalojë këtë process, duke qenë shembulli më i mirë i sjelljes politike e ofrimit të programit më të mirë.
Po ashtu, më 4 mars ne shënojmë 35-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, me respekt ndaj të gjithë veprimtarëve, aktivistëve e funksionarëve, në veçanti përulemi ndaj atyre burra e grave të cilët nuk janë sot në mesin tonë.
Këtë përvjetor jubilar do ta shënojmë në vendin ku është themeluar LDK e Gjilanit, në Përlepnicë, në sallën “Zija Shemsiu”, në ora 14:00.
Ndërsa, në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendit Komunal dëshmoi konstruktivitetin e madh, duke miratuar buxhetin për qytetarët, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët dhe të gjitha kategoritë.
LDK dhe partitë tjera opozitare janë sjellur si grupe politike në interes të qytetarëve e jo me agjenda partiake, duke treguar konstruktivitetin e madh, si dëshmi se ne e duam qytetin më shumë se partinë.
I vetmi që është sjellur si me agjenda të partisë është i pari i ekzekutivit z. Hyseni, i cili për këto katër vite e shndërroi Gjilanin në një shitore të thyer, duke e stërkequr çdo sektor, për ta dëshmuar për fat të keq që ky mandat ka qenë i humbur për qytetarët.
LDK kërkon nga ekzekutivi, të cilin do ta mbikëqyrë vazhdimisht, që buxheti të implementohet në tërësi e jo në mënyrë selektive.